Java që vjen mund të jetë edhe java që skuadra shkodrane, pas disa kohësh pushime, do t’i kthehet stërvitjes. Ekipi ende nuk ka një trajner të parë, ndërsa në këtë start të punës për sezonin e ri pritet që Vllazninë ta drejtojnë dyshja e zëvendëstrajnerëve, Safet Osja e Ideal Lekiqi.

Praktikisht, Agim Canaj mund të quhet i larguar dhe do të jenë pikërisht ish-ndihmësit e tij, të cilët do të drejtojnë skuadrën deri në caktimin e trajnerit të parë.Mirëpo, një shqetësim duket se mbetet organika e ekipit.

Një organikë e cunguar, por ashtu siç po mësohet mund të plotësohet edhe gjatë ditëve të ardhshme. Në stërvitjen e javës së ardhshme pritet që të jenë të pranishëm lojtarët, që momentalisht kanë një kontratë me këtë skuadër.

Emrave të Sherrit, Krymit, Gurishtës, Krujës, Zogajt, Pusit, Palushanit e dyshes që sapo kanë firmosur, Dajan Shehi e Herald Marku, pritet që t’u bashkohet edhe Renato Malota.

Ndërsa me skuadrën që kanë një kontratë dhe do të stërviten me ekipin e parë, pritet që të jenë edhe të rinjtë Qarri, Lekaj, Repaj e Mali. Por nuk përjashtohet mundësia që këtyre emrave t’u shtohet edhe ndonjë emër tjetër nga grupi i ekipit të 19-vjeçarëve të Akademisë Vllaznia.