Vllaznia ka fituar në transfertë përballë Teutës në ndeshjen e vlefshme për javën e 5-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana”, përfundoi 1-2. Pas kësaj sfide, ka folur trajneri i Teutës, Edi Martini.
“Më vjen keq mënyra si e humbëm ndeshjen. Pjesa e dytë ishte shumë më e mirë për ne. Kishim presion dhe panik duke i ofruar atë korne në fund kundërshtarit, janë gjëra të pafalshme. Më vjen keq për pikën. Rasti i Nasr që goditi shtyllën ishte rasti që më ka ngelur më shumë peng.
Unë bëra ndërrimet e dy sulmuesëve, nuk është se hoqa një mesfushor apo mbrojtës që të kalojë në aventurë. Ndoshta duhej më tepër kujdes, sepse 1 pikë nuk ishte keq, por s’mund të them se ishte rezultati më i saktë.
Ne bëmë gabime dhe ishim nën presion për të fituar ndeshjen. Luajtën me topa të gjatë te Balaj dhe na nxorrën nga presingu. Gjithësesi, këtyre problemeve i bashkohet dhe ky rezultat. Vllaznia ka kualitet dhe eksperiencë, por humbja na bën të reflektojmë dhe të gjejmë gabime tona”, tha trajneri i Teutës, Edi Martini.