Vllaznia, si një nga katër skuadrat më të mira të kampionatit të kaluar të basketbollit për meshkuj, ka fituar të drejtën të kalojë direkt në turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë për edicionin e ri. Në shortin e hedhur dje në zyrat e FSHB-së, është vendosur që katër skuadrat më të mira të sezonit të kaluara, Shoqata Tirana, Kamza Basket, Vllaznia dhe Teuta, të kalojnë direkt në turin e dytë. Në turin e parë do ndeshen tetë skuadrat e tjera të cilat do përcaktojnë katër skuadrat, që bashkë me katër të tjerat do vazhdojnë pastaj rrugën për fitimin e këtij trofeu.
Ndeshjet e turit të parë do të luhen më 27 nëntor ndërsa ndeshjet e turit çerekfinal ku do të marrë pjesë edhe ekipi i Vllaznisë do të luhen më 21 dhjetor. Skuadra e trajnerit Bledar Gjeçaj e ka nisur si pretendente këtë sezon dhe padyshim që do të kërkojë edhe fitoren e këtij trofeut të dytë. Përbërja e skuadrës është e plotë dhe në këtë mënyrë, edhe nisja që i ka bërë kampionatit është shumë e mirë me tre fitore në tre ndeshje të luajtura.
www.shkodrasport.com