Një sezon që ka folur i gjithë për Vllazninë në basketboll. Pas titullit kampion me të rriturit dhe atij me të rinjtë, ditët e fundit ekipet e klubit Vllaznia kanë arritur të fitojnë edhe dy tituj të tjerë kampionë. Fillimisht me U-16 ndërsa sot është shpallur kampion edhe me U-12. Ndeshja finale është luajtur në mesditë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe përballë ekipit shkodran ka qenë Superior Klima e Tiranës. Epërsia e basketbollistëve të vegjël të Vllaznisë të drejtuar nga ana e trajnerëve Bledar Gjeçaj dhe Afërdita Rakaj ka qenë e madhe dhe në fund ata janë shpallur fitues duke merituar kështu edhe titullin kampion. Ka qenë kapiteni i këtij ekipi Etore Marku ai që ka marrë kupën nga përfaqësuesi i Federatës dhe sigurisht që më pas ka shpërthyer gëzimi tek basketbollistët e vegjël kampion. Duke folur për gazetën shkodrasport.com, trajneri Gjeçaj është shprehur: “Ka qenë një sezon mëse i shkëlqyer për basketbollin shkodran. Kemi dalë kampion me të rriturit, me të rinjtë, pak ditë më parë me U-16 dhe sot me U-12. Me U-14 ndërkohë jemi renditur të dytët por mund të dalim kampion pas pak ditësh edhe me U-10 dhe kjo do ishte “qershia mbi tortë”. S’ka ku shkon më bukur me kaq shumë trofe, e kjo tregon se basketbolli shkodran është në rrugën e duhur për të krijuar një supermaci edhe për disa vite të tjera në basketbollin shqiptar”.
© shkodrasport.com