Vllaznia është në kulmin e merkatos së verës për t’i dhënë trajnerit Migen Memelli një ekip kompetitiv dhe të denjë për Kupat e Europës, por edhe për sezonin e ardhshëm në Superiore.
Kështu, nisur nga largimet dhe afrimet e fundit, por edhe dëshirat e Vllaznisë, duket se fillimi i kësaj faze përgatitore ka qenë një kantier i hapur ndërtimi, atje ku Memelli po përzgjedh edhe futbollistët kryesorë për Vllazninë e sezonit të ri.
Në kushtet kur janë zyrtarizuar gjashtë afrimet e para, kuqeblutë janë ende në merkato për të pikasur të tjerë elementë për ekipin. Burime pranë klubit bëjnë me dije se do të ketë sërish edhe afrime të tjera në këto ditë të fundit të qershorit që do të plotësojnë grupin e kërkuar nga vetë trajneri pogradecar i kuqebluve, Migen Memelli.
Shkodranët kanë piketuar edhe katër futbollistë të tjerë. Një portier, një mbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues që do të kompletonin në këtë mënyrë ekipin e Vllaznisë.
Pra, bëhet fjalë edhe për katër afrime të tjera që pritet të zyrtarizohen së shpejti dhe të vendosen nën urdhrat e trajnerit Migen Memelli në fazën përgatitore që po zhvillohet në Medjugorje të Bosnjes.
Maringlen ZHIVANI