Presidenti i Federatës Shqiptare, Armand Duka ka ndjekur nga shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” sfidën mes Vllaznisë e AEL Limmasol, e mbyllur në fitoren e qipriotëve dhe rrjedhimisht eliminim e shkodranëve nga Kupat e Europës.

Një rezultat që sipas Dukës erdhi edhe për shkak të fatit të kundërshtarit, ndërsa e vlerësoi me notë pozitive ecurinë e katër skuadrave shqiptare në Europë.

Duka shtoi se gjithmonë ka qënë një tifoz i Vllaznisë.

“Vllaznia ka bërë një edicion shumë të mirë në kampionatin shqiptar. Ka bërë një paraqitje të mirë dhe në Europë. Hap pas hapi niveli vjen e vështirësohet. Kjo ishte pak më lart, por nuk mund të them se ishin më shumë se Vllaznia.

Kishin edhe pak fat, nëse nuk do ishte për shtyllën dhe atë top që u duk se kaloi vijën. E mira ska fund. Do doja që skuadrat tona të kishin kaluar të katërta. Paraqitjet ishin të pëlqyeshme.

“Shpresonim që të shkonin deri në grupe dhe të shikonin ndeshje të tyre deri në vitin e ri. Unë do i vendosja nota pozitive. Unë kam qënë gjithmonë tifoz i Vllaznisë, edhe kur nuk kam qënë president i federatës. Kampionati ka bërë hapa përpara dhe kjo e tregon edhe ecuria në Europë.

Nëse do të ishim para disa vitesh në Kupat e Europës kundër një ekipi qipriot nuk do kishte shumë histori,” tha mes të tjerash kreu i FSHF.