Diego Longo, trajneri i Flamurtarit, mendon se barazimi 0-0 ndaj Skënderbeut nuk i jep fund shanseve të ekipit të tij për t’u ngjitur në Superiore. Pas sfidës, ai u ndal edhe të momenti i diskutueshëm i sfidës, duke theksuar se në ndeshjet e fundit ka pasur shumë të tilla kundër Flamurtarit.

“Na duhet të fitonim, u munduam, pro nuk kam çfarë t’i them skuadrës. Kanë qenë javë pune të lodhshme. Ishte një situatë e vështirë, asgjë nuk mbaroi sot. Mendoj se e meritonim fitoren, por nuk ka rëndësi. Në një javë do të kemi një tjetër finale dhe i kemi mundësitë të arrijmë Superioren.

Në pjesën e parë luajtëm mirë, u munduam dhe nuk shënuam. Në ndeshje të të tilla nëse nuk shënon në pjesën e parë, në të dytën luhet pak se vonohet loja. Ky ishte gabimi se lojtarët e Skënderbeut dinë se si të luajnë, kanë qenë në Superiore dhe dinë si të vrasin ndeshjen. Nëse më duhet të them diçka është kjo që duhej të shënonim në pjesën e parë se në pjesën e dytë do të bëhej më e lehtë.

Ne jemi në 30% të potencialit tonë, sot më në fund luajti Igor dhe shumë lojtarë që nuk mund të luanin deri tani. Sipas meje Igor është për Superiore, nuk e kuptoj se si disa nuk kanë luajtur. Ndaj them ne jemi në 30%. Por jam i kënaqur me ta, punën e tyre, ndjesinë që kam me këtë president e menaxhim fantastik. Kjo është rruga, tani vetëm duhet të punojmë shumë.

Penallti? Nuk flas për gjyqtarët, kam shumë punë për të bërë. Është e qartë që në tre javët e fundit ka gjëra që duhet të diskutohen në këtë aspekt, por unë nuk dua t’i hyj këtij diskutimi. Puna ime është të drejtoj ekipin, ajo është puna e klubit. (Sheh pamjet e pretendimit për penallti) Ishte goditje e këndshme për volejboll. Nëse do të ishte volejboll, do të ishte fantastike”, tha ai për “Oversport” pas përfundimit të sfidës.