Dinamo gjen fitoren e parë me Rodolfo Vanolin si trajner dhe ajo vjen pikërisht në derbin me Tiranën. Një derbi thjesht për statistikë, pasi suksesi 2-1 nuk ndryshon fatin e skuadrave me blutë e destinuar për Kategorinë e Parë dhe bardheblutë që kanë bërë të tyrin titullin kampion.

Sfida ka qenë shumë e luftuar që në pjesën e parë, me të dy ekipet që kanë tentuar në çdo mënyrë që të shënonin.

Golin e gjetën blutë me anë të Haxhiut që në startin e sfidës dhe më pas e kishin të thjeshtë të gjenin hapësira në prapavijën e bardhebluve. Rexhinaldo mund të dyfishonte shifrat në pjesën e parë por gaboi një penallti.

Në pjesën e dytë Dinamo gjeti një tjetër gol me Samake dhe aty erdhi reagimi i Tiranës që u mundua me çdo kusht të shënonte, ose më saktësisht të çonte Seferin para portës.

Ky i fundit shënoi me një penallti të diskutueshme, por më pas nuk pati mundësi të tjera, duke e mbyllur pak i nervozuar sfidën ku kërkonte të konsolidonte pozitat në kreun e renditjes së golashënuesve. Ndaj sfida u mbyll me fitoren për statistikë të bluve që kanë filluar të mendojnë për Kategorinë e Parë.

DINAMO-TIRANA 2-1
9′ Haxhiu, 49′ Samake / 66′ (p) Seferi