Edhe pse janë bërë gjashtë afrimet e para në këtë merkato, te Vllaznia duket se po vuajnë për të gjetur një futbollist tjetër për të plotësuar vijën e sulmit. Me futbollistët që janë afruar të cilët luajnë si lojtarë krahu dhe me Balajn e vetëm në sulm, maja e ofensivës kërkon edhe një sulmues tjetër si alternativë.
Kjo duket se do të sjellë intensifikimin e tratativave me ndonjë futbollist që do të duhet të mbulojë këtë repart si alternativë e Balajt.
Burimet e “Shkodra Sport” tregojnë se shkodranët janë duke punuar në tri-katër pista të mundshme për në repartin e avancuar, por duket se po vuajnë për të gjetur futbollistin e duhur për të plotësuar vijën e sulmit.
Një pistë ka qenë ajo e Blerim Krasniqit, por që së fundi firmosi në Kosovë, ndërkohë që gazeta mëson se Vllaznia është në bisedime me një sulmues shqiptar që luan në kampionatin maqedonas.
Kuqeblutë kanë qenë shumë pranë disa emrave të piketuar nga drejtori sportiv Elvis Plori, por për momentin nuk ka asnjë zyrtarizim. Gjithsesi, drejtuesit kërkojnë të analizojnë me qetësi secilin prej profileve të futbollistëve dhe emrave që kanë në tavolinë, por merkatoja ka shumë zhvillime dhe në Shkodër duhet vepruar shpejt.
Maringlen ZHIVANI