
Vucaj dhe Nimani
Sidomos për të parin është një dëshirë e hershme për ta rikthyer në skuadër. I larguar shumë herët nga Shkodra, Vucaj ka shpërthyer tek Laçi duke u bërë një nga mesfushorët më të mirë të qendrës për kampionatin shqiptar. Prandaj kanë tentuar ta kthejnë herëpashere në qytetin e tyre. Deri më tani nuk ia kanë arritur. Po tentojnë edhe njëherë. Nëse ai vishet sërish kuqeblu, Vllaznia do të gjente organizatorin e munguar prej vitesh. Pak ditë më parë qarkulloi lajmi se mes palëve ka patur bisedime megjithatë ato nuk u konfirmuan për asnjë moment. Këto 2-3 ditë mund të jenë vendimtare për këtë futbollist. Ai duket se prêt një ofertë nga jashtë vendit dhe nëse kjo nuk ndodh, ka shanse të bëhet pjesë e Vllaznisë. Madje ai mund të vijë bashkë me shokun e tij të ngushtë me të cilin luan tek Laçi, Valdano Nimanin. Nëse do të realizohej kjo gjë, atëherë do të ishte një tjetër goditje e Vllaznisë në merkato. Me të dy ato, do të fuqizohej edhe mesfusha por edhe sulmi dhe skuadra do të ishte “top”. Trajneri Canaj e ka bërë të qartë se kërkon përforcime në këto dy reparte prandaj është në pritje të tyre. Ardhja e këtyre dy futbollistëve do të shtonte numrin e shkodranëve në skuadër dhe me përjashtim të portierit Vujadinoviç, gjithë të tjerët do ishin shkodranë. Edhe me Vucajn e Nimanin, nuk do kishim më një Vllazni që do të kërkonte qëndrimin në Superligë por shumë më tepër, pse jo edhe fitimin e trofeve. Kjo do të ishte një arritje për drejtuesit e klubit që kanë aplikuar një strategji të re për skuadrën e këtij sezoni.
Sulmuesi I huaj
Nëse nuk do të realizohet dot marrja e Vucajt dhe e Nimanit, drejtuesit e Vllaznisë po shohin edhe ndonjë mundësi tjetër në merkato në mënyrë që të mos gjenden të papërgatitur në rast kthimi përgjigje negative prej dy të mësipërmve. Për këtë shkak, do të tentohet gjetja e ndonjë sulmuesi cilësor dhe pista më e mundshme për momentin është ajo e ndonjë sulmuesi të huaj. Për këtë arsye, po kontaktohet me menaxherë të ndryshëm dhe në ditët në vazhdim, pritet të kemi të reja në këtë drejtim. Gjetja e një sulmuesi cilësor është domosdoshmëri për Vllazninë aktuale dhe trajneri Canaj e ka ngritur disa herë këtë shqetësim. E ka konstatuar këtë problem tek ndeshjet miqësore që ekipi ka zhvilluar gjatë kësaj periudhe duke mos patur një lider në këtë repart. Prandaj dhe duhet pritur deri në fund. Java e ardhshme do të jetë vendimtare për merkaton e minutave të fundit të Vllaznisë.
Gjergj KOLA