Vllaznia-Kukësi është një sfidë që në sezonet e fundit në Superligë ka qenë ndër ato të veçantat. Duelet mes shkodranëve dhe kuksianëve kanë prodhuar thuajse gjithmonë përballje me futboll të hapur dhe plot gola. Patjetër që gjatë këtyre vitve ka pasur edhe episode që nuk harrohen lehtë.
Jo më larg se në sezonin e shkuar në këtë duel dhe pikërisht brenda në Shkodër, ndodhi episodi i famshëm i penalltisë. Luhej Vllaznia-Kukësi, e vlefshme për javën e 23-të të Superligës. Sfida ishte mbërthyer në shifrat 0-0, kur në gjysmën e pjesës së dytë, arbitri akordon një penallti në favor të Vllaznisë.
Dhe këtu ndodh “debati”. Tek topi shkon për të goditur Haris Dilaver. Sulmuesi boshnjak që ishte përcaktuar nga stafi teknik ka një “kundërshtim” në fushë. Ai është kolegu dhe bashkëlojtari i tij, Demir Imeri. Mesfushori merr me “zor” topin për të goditur vetë dhe e humbet 11-metërshin që pritet nga Xhika.
Në stadium në atë moment të gjithë u “vërshuan” ndaj Imerit. Madje në fund të kampionatit duke e bërë fajtor për humbjen e kampionatit pasi Vllaznia do përfundonte në vendin e dytë pas Teutës vetëm për shkak golavarazhi.
Patjetër që nesër tek Vllaznia do e kenë të qartë se kush do jetë goditësi i 11-metërshit nëse do ketë një të tillë kundër Kukësit. Kjo edhe për të mos ripërsëritur skenat e sezonit të shkuar.
Endri ÇINARI