Trajneri i Kukësit, pas fitores kundër Teutës, foli për disa tema, për debatin para ndeshjes me Gjicin, si dhe për ndeshjen e fituar kundër skuadrës durrsake:

Fitorja në Durrës: Ishte një fitore shumë e rëndësishme, për mungesat e rëndësishme që kishim. Njëkohësisht, edhe kundër një ekipi si Teuta, që është një ekip shumë më e fuqishme dhe e organizuar. Edhe drejtuesit e Teutës meritojnë komplimenta.

Vuajtët presion: Nuk i dhamë hapësira kundërshtarit, pak në fund na vunë në vështirësi, pasi patëm edhe ndërrime të detyruara. Në këto kushte, duhet të gjesh një shqiptar për një të huaj. Na u prishën ekuilibrat, pasi i kanë bërë lëmsh këtë punë. Na mungoi mbajtja e topit nga ana e Shafik, kur ai u zëvendësua.

Pozicioni i Uilliam: E drejtë, e kam gjetur mbrojtës të djathtë, dhe e kam çuar në sulm të krahut të majtë. Por, sot ndërroi edhe pozicion, në qendër të mesfushës apo edhe në të majtë të mbrojtjes. Duke parë që është shumë luftarak dhe cilësitë teknike, e mendoja se mund të bënte mirë edhe në pozicione të tjera.

A është Kukësi për titull: Kjo është skuadra që do kem në dispozicion, pasi deri në janar nuk do kem mundësi për lojtarë të tjerë. Nëse vazhdojmë kështu, besoj se do jemi mirë, por në fillim na kishte munguar finalizimi, pasi edhe Reginaldo nuk ishte futur në ritëm.

Tani, ai është mjaft i rëndësishëm për ne, por do doja që të shënonin edhe të tjerët, të shpërndaheshin golat. Morëm 3 pikë të rëndësishme, por tani sapo ka filluar kampionati.

Debati me Gjicin: Diskutuam për mbarëvajtjen e ekipit, si edhe për Rexhinaldon, pasi ishte në dilemë kur erdhi nga Mozambiku me një dëmtim.

Pjesa e premios i takon presidentit, dhe me këtë ndeshje jam i bindur që do jetë kënaqur. Mendoj se edhe djemtë e meritojnë një shpërblim të tillë.

Rexhinaldo: Të them të drejtën, ka pasur probleme nga dëmtimi në Mozambik. Kemi qenë në kontakt me të, e ka ekzaminuar këmbën, dhe doktorët na dhanë garanci se nuk kishte asgjë.

Thjesht, lojtari mund të kishte një ngërç psikologjik se mos pësonte një dëmtim më të rëndë. Të gjithë i komunikuam se kur mjekësia jep OK, nuk ka probleme.

Gjithsesi, edhe ne mund të marrim vendime të gabuara, dhe nuk na pëlqen jo për Rexhinaldon, por për askënd që të futet në fushë kur mjekësia nuk na lejon.