Rudi Vata e ndjek rregullisht ecurinë e Vllaznisë dhe të kampionatit shqiptar dhe si rrjedhojë nuk ngurron të japë herëpashere edhe mendime rreth tyre. Kështu ka bërë edhe së fundi kur për mediat ka komentuar edhe ndryshimin e trajnerëve tek skuadra shkodrane.
“Gjithmonë ndërrohen trajnerët kur nuk shkon mirë gjendja, por kjo nuk do thotë që trajneri është i vetmi fajtor. Aty ka shumë gjëra që duhen rregulluar, por trajnerët bëhen “koka turku”. Megjithatë shpresoj që trajneri i ri i ardhur të shprehë në 100% mendimet e tij pasi eksperienca që ai zotëron është luks për kampionatin shqiptar e tani në këto çaste delikate edhe për Vllazninë”- ka deklaruar Vata.
Ish- futbollisti dhe ish- trajneri njëkohësisht i Vllaznisë është ndalur edhe tek ndeshaj e nesërme ndaj Tiranës e cila do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” dhe për të Vata do të shprehej:
“Duel i veçantë si gjithmonë, Tirana ka një formë pozitive, por nuk i shoh aq lart dhe larg Vllaznisë. Këtë ndeshje them se Vllaznia do dhe duhet t’a fitojë, kjo është prova reale edhe për trajnerin pasi besoj se tashmë është momenti që ekipi të shprehet siç do ai, brenda mundësive nga futbollistët që ka nën dispozicion. Them se janë bërë disa ndryshime në rreshtim apo edhe përbërje të titullarëve që do ndikojnë për mirë edhe kundër bardhebluve”.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


