Fitorja ndaj Kukësit ka entuziazmuar, të madh e të vogël, në qytetin e Shkodrës. Vllaznia po ecën me hap kampioni dhe këto 14 javë kanë konfirmuar më së miri se skuadra kuqeblu mund të rikthejë titullin pas 20 vitesh mungesë.
Përveç formës së mirë dhe harmonisë në grup që kanë kuqeblutë deri më tani, një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe drejtuesit, të cilët kanë ditur të motivojnë lojtarët. Ekziston një fakt i tillë se është aplikuar disa herë premtimi për shpërblime dhe lojtarët kanë ngrohur disi xhepat.
“Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta në klub, se menjëherë pas ndeshjes me Kukësin, drejtuesit kanë shpërndarë 5 mijë euro premio për këtë fitore të madhe në transfertë ndaj një skuadre që pretendon vendet e para.
Por si u nda shpërblimi? Gazeta ka mësuar se titullarët në ndeshjen ndaj Kukësit kanë marrë nga 300 euro për kokë. Nga ana tjetër, lojtarët që nuk u aktivizuan në fitoren 1-0, morën secili nga 130 euro. Klubi dha një shifër tjetër për lojtarët që u aktivizuan në pjesën e dytë.
Trajneri Tomas Brdariç bëri vetëm tri ndërrime në 20 minutat e fundit të lojës dhe futbollistët që u futën në fushë si zëvendësues morën nga rreth 180 euro secili.
Edhe pse shpesh ka pasur polemika për vonesat e rrogave te Vllaznia, ardhja e sponsorit Alban Xhaferi ka stabilizuar situatën. Ky i fundit dhe kryebashkiakja Ademi i kanë qëndruar shumë afër ekipit.