Mesnata e djeshme ka qene afati përfundimtar I mbylljes së merkatos për futbollin shqiptar dhe të gjitha skuadrat u vënë në lëvizje për të gjetur edhe ndonjë futbollist tjetër për të plotësuar organikat e tyre.

Krejt ndryshe ndodhi me Vllazninë. Drejtuesit e saj me firmosjen e kontratave me Mustedanagiç e Sadrijajn pesë ditë më parë, I kanë dhene fund merkatos së lojtarëve prej ditesh. Trajneri Brdariç ka aktualisht në dispozicion 29 lojtarë dhe ky numër është mëse I mjaftueshëm për ta çuar sezonin deri në fund. Ose të paktën deri në janar kur me rihapjen e merkatos mund të ketë vend për korigjim.

Fakti që aktualisht janë plot 5 lojtarë të dëmtuar dhe sërish stafi ka alternative jo vetëm për formacionin por edhe për pankinën, është një tregues I qartë I merkatos që kanë bërë drejtuesit. Megjithatë ecuria gjatë kampionatit do të tregojë edhe cilësitë e lojtarëve të ardhur. Në krahasim me sezonin e kaluar, kanë ardhur disa lojtarë të rinj në skuadër.

Duke filluar nga mbrojtja ku pjesë e saj do jenë Diagne, Bulatoviç, Hakaj. Për mesfushën kanë ardhur Heriç, Mustedanagiç, Sadrijaj e Gustavo, ndërsa në sulm kanë ardhur Aralica, Kaina, Gjurgjeviç e Latifi. Me këto lojtarë, por edhe të tjerët që kanë qenë pjesë e saj edhe sezonin e kaluar, Vllaznia futet në sezonin e ri për të qenë në mes ekipeve pretendente për fitimin e titullit kampion dhe Kupës së Shqipërisë.

Kuptohet që gara sivjet pritet të jetë shumë më e fortë, por shkodranët duken të vendosur për ta përballuar me sukses atë dhe për të realizuar objektivat që kanë./SHKODRA-SPORT.COM/