Vllaznia ndodhet në javët e fundit të përgatitjeve para fillimit të sezonit të ri. Shkodranët tashmë kanë mësuar edhe kundërshtarin me të cilin do hapin Superioren këtë vit dhe ai është Kukësi. Ekipi ka marrë formën e plotë e ndoshta vetëm 2-3 ndërhyrje cilësore mund të priten deri në fundin e merkatos.

Nga afrimet që janë realizuar në këtë merkato vërehet se Vllaznia është më e “shkodranizuar” se sa sezoni i shkuar. Emra si: Krymi, Gruda, Sala apo edhe Beci kanë bërë që këtë sezon të ketë më shumë shkodranë tek kuqeblutë.

Madje duke nisur edhe nga porta, ku pavarësisht se Qarri është pjesë e ekipit prej disa sezonesh, tashmë mund të konsiderohet titullar i katërkëndorit.

E në mbrojtje emra si: Smajli, Hakaj, Spahija dhe Beci tregon për prodhimet e akademisë Vllaznia ndër vite. Duke mos harruar edhe Pusin që firmosi kontratën profesioniste para pak ditësh. Në mesfushë një emër me peshë i rikthyer është Krymi. Ku së bashku me shkodranët e tjerë Sala dhe Alivoda pritet të kenë një konkurrencë që do i bëjë mirë skuadrës.

Për të plotësuar 11-tshen e shkodranëve është Ildi Gruda. Sulmuesi i shpejtë i bashkohet dyshes së sezonit të shkuar, Çoba-Balaj, duke mos lënë pas as sulmuesin e ri, Delaj.

Pra një Vllazni me më shumë shkodranë këtë edicion, fakt që ndoshta mund ta shtojë akoma më tepër përgjegjësinë e futbollistëve në momentin kur ata të zbresin në fushën e lojës.
Endri ÇINARI