Vllaznia nuk arriti më shumë se një barazim 1-1 sonte në “Elbasan Arena” përballë Teutës. Një ndeshje ku kishte gjithçka brenda nga kartoni i kuq për Aralicën, avantazhi i Teutës me Giorgiev, barazimi i Vllaznisë me Da Silvan apo edhe shanset e kuqebluve për të fituar ndeshjen.
Shkodranët arritën të merrnin 1 pikë mes sakrificash në një ndeshje ku dominuan në shumicën e takimit. Madje edhe kur ishin me 10 lojtarë në fushën e lojës.
Patjetër performanca e kuqebluve merr vlera akoma më të mëdha ku po të shikosh me vëmendje, lojtari më i mirë i Teutës ishte portieri Pano Qirko.
Loja e zhvilluar sonte në Elbasan tregon se Vllaznia ka krijuar stabilitet në lojë dhe rezultatet pozitive të javëve të fundit nuk janë rastësi. Po ashtu futbollistë si Latifi apo edhe Da Silva po tregojnë rritje të madhe nga ndeshja në ndeshje.
Për ndoshta shumë kënd në Shkodër ky rezultat mund të mos jetë ai që donin. Kjo edhe nga forma që po kalon Vllaznia, por edhe nga ndeshja që zhvilloi ekipi sonte.
Kuqeblutë duken në rrugën e duhur dhe ky barazim patjetër që nuk është një ndalesë, por vijimi i rrugës së nisur me Kastriotin. Tashmë të mërkurën Vllaznia pret Partizanin në Shkodër me shpresën për rikthim tek 3 pikëshi.
Endri ÇINARI


