Pas tre ditësh pushim, ekipi i Vllaznisë i është rikthyer sërish fushës së stërvitje duke vijuar me përgatitjet për ndeshjen e rradhës, atë të fundjavës tjetër ndaj Bylisit që do të luhet në transfertën e vështirë të Ballshit.

Skuadra shkodrane tashmë kryeson renditjen dhe padiskutim që do të tentojë ta mbajë sa më gjatë këtë vend, por fillimisht i duhet të kalojë me sukses pengesën ballshiote.

Për këtë takim trajneri Martini sërish nuk do t’i ketë të gatshëm të gjithë lojtarët. Kjo sepse tashmë nisin edhe problemet me kartonat dhe prej tyre këtë herë do ta pësojë mbrojtësi Elmando Gjini.

Ky i fundit ka plotësuar numrin katër të kartonave të verdhë dhe si rrjedhojë është i skualifikuar për ndeshjen e rradhës, atë ndaj Bylisit. Një mungesë e tillë padyshim që është shumë e rëndësishme sepse kemi të bëjmë me një nga lojtarët më të rëndësishëm të formacionit kuqeblu.

Gjini ka treguar një formë shumë të mirë sportive në këtë fillim kampionati dhe jo më kot u ftua në kombëtare ditën e djeshme nga trajneri Silvinjo. Gjithsesi trajnerit të Vllaznisë do t’i duhet t’i bëjë planet pa të për ndeshjen e rradhës.(www.shkodrasport.com)