I zhgënjyer pas sfidës së sotme me Besëlidhjen, ku Vllaznia barazoi 1-1 në “Loro Boriçi”, trajneri Hasan Lika për mediat ka pohuar: “Më vjen keq për këtë barazim. Mendoj se ekipi luajti mjaft mirë, pavarësisht se kundërshtari e bëri shumë mirë punën dhe u tregua edhe ai i rrezikshëm. Me një gol është e vështirë që të fitohet ndeshja”.

“Mendoj se ekipi duhet që të kishte menaxhuar më mirë lojën në minutat e fundit. Ne u nxituam në fund dhe shpesh herë mund të vijë edhe gabimi. Po mungon goli i qetësisë sepse lojtarët po nxitohen para portës.

E kam theksuar se kemi vështirësi tek goli, pavarësisht se krijojmë volum krijojmë raste, sërish nuk arrijmë që t’i shfrytëzojmë dhe të konkretizojmë”.

“Është disi e natyrshme që në minutat e fundit të tërhiqet ekipi për të ruajtur rezultatin, për më tepër kur është një rezultat i tillë. Normale nuk është që në këto minuta lojtarët të kërkojnë që të heqin topin dhe të fitojnë sekonda.

Ne dhamë udhëzimet tona që ato të mbanin topin, të luanin më përpara, por nuk funksionoj ashtu siç duhet. Në momentet e fundit duhet që të ishim treguar më të qetë”, – tha trajneri Lika i zhgënjyer pas disfatës me lezhjanët në Shkodër./vipsport/