Vllaznia do luajë në javën e 19-të dhe që hap edhe fazën e tretë me ndeshjen kundër Laçit. Takim që do luhet ditën e shtunë në orën 13:45 në stadiumin e qytetit të Laçit. Ndeshje ku përballë janë kurbinasit, skuadra më në formë e kampionatit dhe shkodranët që vijnë pas një fitoreje dhe një prej skuadrave më cilësore të kampionatit.
Laçi në sezonet e shkuara është cilësuar si një “mace e zezë” për Vllazninë, por statistikat e ndeshjeve të fundit flasin të gjitha në favor të shkodranëve. Kështu Vllaznia ka fituar të 4 ndeshjet e fundit kundër kurbinasve.
Këtu përfshihet edhe fitorja 3-5 në fazën e parë që mungonte prej 7 vitesh në fushën e Laçit për shkodranët. Gjithashtu edhe ndeshja e fazës së dytë ku Vllaznia fitoi 1-0, falë një goli të Da Silvas.
Ndeshja e fundit e sezonit të shkuar po ashtu foli për Vllazninë. Kuqeblutë fitonin 2-0 në Shkodër falë golave të Markut dhe Dilaver. Edhe në kupë sezonin e kaluar, Vllaznia triumfonte në gjysmëfinale kundër kurbinasve me golin e Hoxhajt duke kaluar me rezultatin 1-0. Po ashtu para asaj sfide ishte një barazim 0-0 në Laç, i vlefshëm për kampionatin.
Hera e fundit që Laçi ka fituar ndaj Vllaznisë është në shifrat 1-2 në datën 05.02.2021. Bardhezinjtë thuajse para 1 viti fitonin në Shkodër me golat e Nwabueze dhe Harmon. Patjetër që tek kuqeblutë duan që të vijojnë me këtë traditën e fitoreve përballë Laçit, ndaj të cilëve duket se nuk ekziston më fjala “mace e zezë”.
Endri ÇINARI