Sezoni 2021-2022 ishte disi zhgënjyes për Vllazninë, që pas titullit kampion nuk kapi dot në kampionat as Europën. Mirëpo, një gjë e tillë erdhi falë fitimit të Kupës së Shqipërisë.
Megjithatë, pas reflektimit në periudhën e kaluar, klubi vendosi që t’ia besojë projektin e sezonit të ri trajnerit Mirel Josa. Deri më tani, janë konfirmuar afrimet e Lorik Boshnjakut, Kaina Nunesh, Dajan Shehi, Kristijan Vulaj, Marko Juriç dhe Herald Marku.
Kjo nuk do të thotë se merkatoja ka ngecur këtu në Shkodër, por te Vllaznia nuk duan të bëjnë gabimet e sezonit të kaluar me afrimet, prandaj edhe po tregohen shumë të kujdesshëm në përzgjedhjen e futbollistëve.
Pas largimeve të shumta, duket se më të prekurit janë reparti i mbrojtjes dhe i mesfushës. Megjithatë, edhe aty tashmë ka futbollistë që qetësojnë stafin teknik.
Ndërkohë, së fundmi u firmos edhe me Rejan Alivodën, teksa ai mund ta shpërblejë besimin e drejtuesve me lojën e tij. I riu shkodran është padiskutim e ardhmja, ashtu si Mehdi Çoba në repartin e sulmit.
Sa i përket ofensivës, garanci jep braziliani Kaina Nunesh, golashënuesi më i mirë i Kastriotit në sezonin e kaluar me 8-gola. Forma e mirë e sulmuesit ka kënaqur stafin, që beson shumë te Nunesh, por gjithashtu edhe të futbollistët e tjerë, si Ante Aralica apo edhe Mehdi Çoba.
Me 21 korrik do të luhet ndeshja e parë ndaj Universitatea Craiova në Shkodër në stadiumin “Loro Boriçi” dhe deri atëherë, ndoshta do ketë zhvillime sa i përket merkatos.
Maringlen ZHIVANI