Eneo Bitri mund të largohet nga Partizani pas aventurës në Ligën e Konferencës. Ditën e djeshme mediat izraelite bënë me dije se klubi i Hapoel Tel Avivit, një nga më të mëdhenjtë në Izrael, është i interesuar dhe ka nisur lëvizjet e para për ta bërë të tyrin beratasin.Gjithsesi, nuk është e lehtë, pasi duhet kaluar pengesa “Partizani”.

PRAPASKENAT – Bitri ka kontratë edhe për sezonin e ardhshëm me të kuqtë, të cilët refuzojnë kategorikisht largimin para ndeshjeve në Ligën e Konferencës.Pas kësaj ata janë të gatshëm ta lejojnë të largohet në këmbim të një shume parash.

Burime për “Panorama Sport” bëjnë me dije se Hapoeli nuk është klubi i vetëm i interesuar për Bitrin, por i vetmi që ka dërguar ofertë zyrtare për mbrojtësin.

OFERTA – 100 mijë euro ofrojnë izraelitët, me Partizanin që nuk është gati ta lejojë të largohet kundrejt kësaj shume parash.

Shifra që Partizani kërkon për Bitrin është 150 mijë euro, jo shumë larg ofertës së Hapoel Tel Aviv, çka do të thotë se gjithçka është e zgjidhshme.

Siç dihet, Bitri është një lojtar që i ka dhënë provat në kampionatin tonë, por edhe në atë kazakistanas, ku luajti në gjashtë muajt e parë të sezonit të shkuar dhe u tregua i rëndësishëm për Astanën.

NË “TOP FORMË” – Më pas te Partizani ai u kthye plot siguri dhe u shndërrua në pikën më të fortë të difensivës së të kuqve, duke qenë si shkëmb përpara Hoxhës dhe shënuar edhe dy gola falë aftësive të tij në goditjet me kokë.

Kështu, largimi i Bitrit do të ishte një ndihmë e konsiderueshme financiare për Partizanin, por gjithashtu do të krijonte një boshllëk të madh në mbrojtje, ku edhe alternativat nuk janë të shumta.

HAPOEL – Klubi nga Tel Avivi është një nga më historikët në Izrael. Ata numërojnë plot 13 tituj kampionë, 16 Kupa të Izraelit, 3 Superkupa dhe një kampionat të klubeve aziatike në 1967-ën.

Në sezonin e shkuar Hapoel Tel Aviv u rendit në vendin e pestë në kampionat. Vlera e skuadrës në merkato, sipas “Transfermarkt”, është 8.13 milionë euro.