Shtyrja me 23 orë e ndeshjes ndaj Egnatias, ka bërë që stafi i Vllaznisë të ndryshojë diçka edhe tek programi stërvitor dhe si rrjedhojë edhe sot kuqeblutë kanë zhvilluar një seancë të plotë teksa stafi teknik ka punuar edhe në aspektin taktik.
Por nga ana tjetër në këtë pragndeshje, trajneri Martini ka marrë edhe një tjetër lajm të mirë. Mesfushori Klinti Qato, siç shikohet edhe nga fotoja e shkrimit, i është bashkuar pas një kohe të gjatë ekipit në stërvitje.
Ai pati disa shqetësime në gjurin e tij të djathtë dhe si rrjedhojë mjekët i kishin rekomanduar një pushim disi të gjatë. Por periudha e vështirë për të duket se ka kaluar dhe ai ka nisur të bashkohet me ekipin. Kuptohet që gjendja e tij nuk është ende aty ku duhet, por lajm i mirë është se i është bashkuar grupit.
Pas Edon Muratajt i cili iu bashkua edhe ai ekipit, tashmë me afrimin edhe të Qatos ekipi nis të marrë formë, por gjithsesi shqetësim vazhdon të mbetet situata e Bismark dhe Dros që janë ende jashë skuadrës dhe shpresat janë që pas ndërprerjes së kampionatit, edhe ata të bashkohen me ekipin.(www.shkodrasport.com)







