Në Shkodër duket se janë të shokuar për largimin e trajnerit Mirsad Jonuz. Maqedonaso-veriori ka dhënë dorëheqjen nga klubi i Vllaznisë, nëpërmjet një letre drejtuar administratorit Suad Lici, letër që asnjë prej lojtarëve nuk e ka lexuar apo është në dijeni. Jonuz u largua fill pas fitores 1-3 në Vlorë, ndërsa fillimisht u raportua se ishte një udhëtim për arsye familjare.

Neësport.al u interesua pranë klubit kuqeblu, teksa administratori Suad Lici nuk u përgjigj. Kapiteni Gilman Lika dhe veterani Ndriçim Shtubina u shprehën njëzëri të shokuar dhe se nuk kishin asnjë informacion për këtë situatë.

Pas grevës për shkak të pagave apo problemeve të tjera administrative, Vllaznia vuan tanimë edhe dorëheqjen e timonierit në pikët më deçizive të sezonit Shkodra prej kohësh ka qenë një fuçi që zien sa i takon trajnerëve, ndërsa Jonuz është i larguari i radhës.

“Është një habi për ne. Klubi nuk na ka lajmëruar për një letër të tillë. Unë sapo e lexova këtë lajm dhe nuk di çfarë të them, jam i painformuar”, tha Ndriçim Shtubina.

Edhe kapiteni Lika foli për newsport.al, teksa kapiteni shtoi: “Sapo mbaruam stërvitje dhe nuk jemi në dijeni të kësaj çështje, klubi nuk na ka dhënë asnjë informacion dhe jemi disi të shokuar nga situata”, u shpreh shkurt Lika./newsport/