
Pas shumë tentativash, Vllaznia në volejboll për meshkuj ka bërë më në fund realitet blerjen e një lojtari të huaj. Bëhet fjalë për serbin Vladan Djordjevic i cili tashmë ka mbërritur në Shkodër dhe ka nisur stërvitjen me këtë ekip. Lajmi konfirmohet nga trajneri i këtij ekipi Mark Kroqi i cili duket mjaft i kënaqur për ardhjen e këtij lojtari me shumë përvojë. Djordjevic sapo ka mbushur 34 vjeç dhe ka një karrierë shumë të pasur teksa ka qenë për vite me rradhë edhe pjesë e kombëtares së Serbisë. Luan në pozicionin 4, aty ku shkodranët kishin më shumë nevojë për një lojtar të tillë. Gjatë karrierës së tij, ka luajtur me shumë ekipe si në Serbi ashtu edhe jashtë saj, madje deri në Abu Dabi, pa lënë mënjanë disa ekipe greke apo dhe Gallatasarajin e Turqisë ndërsa së fundi ka luajtur në Qipro me Anagennisi Deryneia. “Kemi të bëjmë me një lojtar me shumë përvojë që do të na ndihmojë shumë me eksperiencën e tij për gjysmën e dytë të sezonit”- ka thënë trajneri Kroqi. Me ardhjen e këtij volejbollisti, Vllaznia duket më e fortë dhe e gatshëm tashmë për të luftuar për fitimin e titullit kampion por edhe të Kupës së Shqipërisë. Ende nuk ka ndonjë lajm nëse do të ketë edhe ndonjë tjetër përforcim nga ky ekip por shanset janë që merkatoja e tyre të mbyllet me kaq.
© shkodrasport.com