Pas katër ditëve pushim, ekipi I Vllaznisë duhej të rikthehej të hënën në stërvitje për të vijuar normalisht procesin stërvitor, por në fakt nuk do të ndodhë kështu. Nga sa bëhet e ditur, stafi teknik në bashkëpunim edhe me drejtuesit e klubit dhe ate mjekesor, duke parë që situata në vend ende nuk është përmirësuar dhe për më tepër që vazhdon të ketë shumë masa sigurie dhe sërish është vendosur që të mos ketë as qarkullim dhe as dalje nga shtëpitë, kanë rënë dakord që stërvitja të shtyhet sërish.
Ende nuk është e qartë se deri kur do të ndodhë kjo gjë, por të hënën nuk do të ketë stërvitje. Nuk është shumë e qartë se deri kur do të vazhdojë kjo situatë që në fakt ka krijuar jo pak probleme për ekipet e futbollit.
Stafi teknik nuk e di se si do të rrjedhin ngjarjet në të ardhmen dhe është I shqetësuar për gjendjen fizike të futbollistëve. Kjo ngaqë Federata mund të vendosë ndoshta nisjen shpejt të kampionatit dhe kjo mund t’I gjejë të papërgatitur futbollistët.
Trajneri Jonuz dhe ndihmësit e tij kanë këshilluar lojtarët që të mundohen të bëjnë stërvitje individuale brenda mundësive të tyre, në mënyrë që të ruajnë parametrat e tyre fizikë. Situata në renditje nuk është aspak komode dhe kjo duhet të thotë që Vllaznia duhet të jetë shumë e fortë në momentin që do të rinisin ndeshjet dhe për këtë forma duhet të jetë optimale. Megjithatë edhe për disa ditë është e qartë se nuk do të bëhet fjalë për futboll në Shqipëri.