Java e dytë e muajit korrik po shkon drejt fundit dhe tek Vllaznia gjatë saj nuk ka patur asnjë lëvizje, ndryshe nga sa u mendua. Në këto rrethana, për kuqeblutë gjërat vështirësohen për më tepër që ditën e hënë ekipi duhej të ishte në fushën e stërvitjes. Por në fakt kjo nuk pritet të ndodhë sepse së pari, ai ende nuk ka një trajner dhe së dyti, shumë lojtarë janë pa kontrata.
Kjo I shton edhe më shumë problemet teksa kujtojmë që pas pesë javësh nis kampionati I ri I Superligës dhe Vllaznia nuk duket gati për të. Megjithatë shkodranët për momentin duhet të mendojnë para gjetjes së trajnerit dhe lojtarëve, edhe për zgjidhjen e një tjetër problemi shumë serioz.
Siç është bërë e ditur, Federata Shqiptare e Futbollit ka shtyrë liçensimin e ekipeve për sezonin e ri, për në fundin e muajit korrik. Disa prej tyre kanë probleme financiare me tatimet dhe duhet të gjejnë një marrëveshje për shlyerjen e tyre. Në mes këtyre ekipeve është edhe Vllaznia që siç dihet, ka një shumë të konsiderueshme borxhesh në tatime.
Drejtuesit e klubit duhet të mendojnë të gjejnë një zgjidhje për këtë problem, ashtu siç mendohet të ketë edhe ndonjë amnisti në këtë drejtim sepse kampionati nuk mund të nisë pa Vllazninë, Tiranën, Flamurtarin e Luftëtarin që kanë problem të tilla.
E gjithë kjo situatë ka krijuar një çoroditje edhe të opinionit sportiv shkodran I cili nuk është aspak entuziast për një paraqitje të mirë të kuqebluve në sezonin e ri.