Festë në Shkodër, fiton Vllaznia, kënaqen tifozët dhe ditëlindja e 94-të e klubit, kalon në mënyrën më të mirë të mundshme.Kastriot Rexha, sulmuesi shtatlartë i Vllaznisë, ka vendosur fatin e sfidës kryesore të javës së 15-të të Superiores. Një gol që, përveç tri pikëve dhe konfirmimit të vazhdimësisë pozitive të kuqebluve nën drejtimin e Artan Bushatit (para një jave fituan brenda në Korcë me Skënderbeun), vjen si dhurata më e bukur për 94-vjetorin e klubit shkodran. Ditë më të gëzuar për kosovarin Rexha nuk mund të kishte, ndërkohë që stadium “Loro Boriçi” ka parë të rikthehen tifozët e zjarrtë shkodranë, që kësaj here kanë patur si “kundërpeshë” edhe homologët kuksianë, të shumtë po ashtu në numër.
Nuk kanë kaluar shumë, por vetëm dhjetë minuta lojë, që Rexha, pas një goditjeje nga këndi, të finalizonte në portën e Halilajt, duke cliruar psikologjikisht të tijtë, që më pas bëhen pragmatistë dhe tepër të kujdesshëm. Vllaznia e Bushatit është e ekuilibruar mes reparteve, teksa detyrat difensive kryhen si duhet përballë iniciativave të debutuesve në Superiore. Gjithsesi, reagimi i të besuarve të Cungut në pjesën e parë nuk ka qenë në nivelin e duhur, edhe pse në dy raste portieri Vujadinovic, i vetmi ndryshim te kuqeblutë në krahasim me transfertën korcare, është dashur të tregojë vlerat më të mira të tijat.Pjesa e dytë, natyrshëm që do t’i zbriste skuadrat me qasje të kundërta. Vllaznia tenton përmes kundërsulmit të shepjtë, sidomos me Dragoin dhe Hajdarin nga krahët, të vulosë përfundimisht suksesin e radhës, por edhe të mbrojë golin e cmueshëm të Rexhës, ndërsa Kukësi është më i avancuar në tapetin e blertë, sepse nuk pajtohet me disavantazhin. Elementët e spikatur që kanë verilindorët në përbërje, gjithsesi, nuk arrijnë të bëjnë diferencën në mesfushë, aty ku zhvillohet beteja më e ashpër. Hoxha, Progni dhe Popovic arrijnë t’i afrohen golit në fakt, por Vujadinovic u thotë “jo” atyre, duke mbajtur në fuqi fitoren minimale të shkodranëve.
Pas kësaj jave, Vllaznia renditet në vendin e 6-të, në kuotën e 23 pikëve, ndërsa vijon afrimin me kreun, duke treguar ambicie të qarta për zonën europiane, edhe pse detyra për këtë do të jetë shumë e vështirë. Një frenim i radhës për Kukësin që, përkundrejt investimeve të bëra, apo ecurisë vërtet impresionuese në këtë kampionat, nuk arriti të superojë historinë dhe traditën e pasur të një skuadre si Vllaznia. Për Bushatin nuk mund të kishte nisje më të mirë me kuqeblutë; 2 fitore ndaj dy kundërshtarësh shumë të vështirë, teksa ka meritën se u shkaktoi kampionëve të vendit në fuqi humbjen e parë në këtë sezon.
www.shkodrasport.com