Skuadra shkodrane në basketboll për meshkuj vazhdon serinë e miqësoreve dhe njëkohësisht edhe të fitoreve në përgatitjet e saj për pjesmarrjen në Ligën Ballkanike. Ajo mbrëmë ka qenë sërish mysafire në Ulqin ku është ndeshur me skuadrën vendase dhe në fund ka fiksuar fitoren me rezultatin e ngushtë 91-90. Duhet thënë se kjo është fitorja e pestë që kjo skuadër arrin në po kaq ndeshje miqësore të luajtura.
Këto fitore tregojnë se gjërat janë në rrugën e duhur dhe ekipi tashmë është gati për përballjen e parë të Ligës Ballkanike, atë që do të luajë më 14 tetor në Prishtinë me ekipin vendas të Sigalit. Por para kësaj ndeshje, kuqeblutë e trajnerit Bledar Gjeçaj do të luajnë edhe një miqësore tjetër, pikërisht nesër në Shkodër ndaj ekipit Bashkimi të Prizrenit. Kujtojmë këtu që ky është një nga ekipet më të mira të Kosovës dhe me të, vite më parë ka luajtur edhe trajneri aktual i Vllaznisë duke qenë një nga basketbollistët më të mirë të tij.
© shkodrasport.com