Vllaznia në volejboll për meshkuj duket se ka ndër mend të ndërtojë një ekip pretendent për sezonin e ri. Kjo mësohet pikërisht pas ofertës që drejtuesit e saj mësohet t’i kenë bërë një lojtari të kombëtares shqiptare. Bëhet fjalë për kosovarin Adriatik Kajtazi. Lajmi është bërë i ditur në mediat kosovare. Interesimin e skuadrës shqiptare, e  ka konfirmuar vetë  volejbollisti nga Prishtina. “Është e vërtetë që kam një ofertë nga skuadra e Vllaznisë së Shkodrës. Unë ia kam dërguar kërkesat e mija dhe tash mbetet të shihet se çka do të ndodhë. Brenda kësaj jave do të dihet përfundimisht a do të shkojë në Shqipëri, apo në ndonjë skuadër tjetër. Oferta e skuadrës shqiptare është shumë serioze”, ka thënë Kajtazi, i cili pëlqehet në mas të madhe nga tifozët e Vllaznisë.

Mësohet se Kajtazi ka edhe oferta nga disa skuadra evropiane, por ai nuk deshi ti përmend emrat e tyre.Adriatik Kajtazi në të kaluarën ka luajtur edhe në kampionatin e Shqipërisë, Maqedonisë, Zvicrës dhe Katarit. Nëse do të bëhej realitet ky përforcim, sigurisht që ekipi shkodran do të rriste edhe pretendimet e tij për të qenë pretendent për fitimin e titullit kampion.
© shkodrasport.com