Kriza e rëndë që ka mbërthyer futbollin shqiptar nga keqmenaxhimi që është lejuar nga FSHF, po bën thuajse të pamundur zhvillimin normal të kampionatit të Kategorisë Superiore.

Situata e paqartë me Skënderbeun e sidomos shpërbërja e klubeve që janë në krizë financiare e të lidhur ngushtë me ngjarjet politike në vend, ka bërë që kampionati të jetë shumë larg normalitetit që duhet për të planifikuar fillimin dhe zhvillimin normal të tij që në datë 24 gusht.

Aktualisht katër skuadra janë me status të paqartë e nuk japin shenja të fillimit të aktivitetit normal të tyre për sezonin e ri. Skënderbeu është goditur rëndë nga KAS e çdo plan që kishte bërë është shkatërruar, ndaj duhet të rimendojë edhe një herë si do të vijojë punën në klubin korçar.

Asnjë datë mbi rifillimin e punës dhe asnjë konfirmim për trajnerin e ri sigurisht që nuk favorizojnë një punë të qetë të korçarëve të cilët në teori janë ekipi që të gjithë marrin shembull për mirëorganizim në struktura.

Telashi i madh i FSHFS-së është me klubet që kanë detyrimet të shumat të prapambetura, të cilët i ka kërcënuar hapur se do të përjashtohen nga aktiviteti. Tirana të paktën ka filluar stërvitjen, ndërsa Luftëtari, Flamurtari e Vllaznia janë ende në ajër, të lidhur edhe me situatën politike në vend, duke shtyrë ditë pas dite fillimin e punës.

Në rastin e ekipit shkodran, situatë është shumë më e komplikuar pasi klubi është 100% në varësi të Bashkisë e nëse vazhdon ngërçi politik, kuqeblutë do të jenë të parët që do ta vuajnë duke mos filluar punën për sezonin e ri pa asnjë afat të saktë.

Dy klubet e tjera thjesht duhet të gjejnë një financues për të shlyer një pjesë të borxheve, pro kanë si problem madhor faktin se tashmë lojtarët nuk duan të luajnë për ta.

Në këto rrethana, FSHF pritet që bashkë më vendimin e 31 korrikut, ku vështirë se do të vendosë për përjashtimin e ndonjë ekipi, të komunikojë edhe shtyrjen e fillimit të Superiores, pasi në kushtet aktuale, prodhimi që po mundohet prej shumë vitesh të trumbetojë para publikut si cilësor, do të ishte një zhgënjim absolut, pasojë e keqmenaxhimit që i është bërë prej shumë vitesh. /vipsport/