Basketbollistët shkodranë kanë mundur një tjetër rival, pikërisht Teutën dhe tashmë kanë ndërruar vendet me ta në renditje duke u ngjitur tashmë në vendin e dytë dhe duke kaluar durrsakët në të tretin. Në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në “Qazim Dervishi” Vllaznia ka fituar me rezultatin 77-53. Një fitore e cila ka shkuar pikërisht për trajnerin Bledar Gjeçaj i cili sot ka festuar 47 vjetorin e lindjes dhe para ndeshjes, basketbollistët i kanë bërë një surprizë të bukur duke i dhuruar tortën e ditëlindjes përmes shumë duartrokitjeve të gjithë tifozëve të pranishëm. Ndeshja vetëm në 10 minutat e para pati rivalitet dhe ato u mbyllën 18-14. Në periodën e dytë vjen epërsia e madhe. Ajo fitohet nga vendasit 23-11 dhe kësisoj dy ekipet shkojnë në pushim me një diferencë prej 16 pikësh. Të krijohet përshtypja se tashmë fitorja është punë e kryer dhe kështu ndodhi. Në periodën e tretë,sërish Vllaznia e mbyll në avantazhin e saj me shifrat 19-11 ndërsa në të katërtën do të fiksoheshin shifrat në 17-19. Përfundimisht 77-53 dhe kuqeblutë në këtë mënyrë e mbyllin fazën e tretë të kampionatit në vendin e dytë ndërkohë që java e parë e fazës së katërt do ta gjejë përballë Tiranës kryesuese. Një sfidë vërtetë shumë interesante dhe që ja vlen për t’u ndjekur.
© shkodrasport.com