Atleti shqiptar Izmir Smajlaj mori sot në mbrëmje medaljen e artë në Kampionatin Europian të sallave të mbyllura që po zhvillohet në Beograd të Serbisë, në garën e kërcimit së gjati, duke ngritur peshë gjithë Shqipërinë me këtë rezultat fantastik. Një medalje historike, e para e artë për atletikën shqiptare në një aktivitet të tillë. Atleti shkodran kërceu 8.08 metra, që është edhe rekordi i ri kombëtar në këtë disiplinë, duke konfirmuar momentin e mirë që po kalon. Një medalje e artë që erdhi pak ditë pas triumfit në Kampionatin Ballkanik, ku Smajlaj mori sërish të artën.Një garë e shkëlqyer e atletit kuqezi, që bëri realitet ëndrrën e tij dhe të gjithë shqiptarëve në kërcimin e fundit, duke bërë një “fluturim” fantastik dhe fituar duelin me suedezin Michel Torneus. Edhe ky i fundit kërceu 8.08, rezultat që e arriti në kërcimin e parë, por në fund mori medaljen e argjendtë (bëri tri faulla, ndërsa Smajlaj vetëm dy). Paraqitja e Izmir Smajlajt erdhi në rritje nga kërcimi në kërcim, duke dhënë fillimisht rezultatin 7.81 metra e më pas 8.02m, faull në kërcimin e tretë, 6.58m, faull dhe në fund kërceu 8.08 metra në kërcimin e gjashtë dhe të fundit.Festë për atletit shkodran pas garës, që nuk i besonte syve që arriti një rezultat të tillë dhe, mbi të gjitha, vari në qafë medaljen e artë në garën e kërcimit së gjati. Ai dhe trajneri i tij Vildan Tufi ishin shprehur se synonin medaljen në Europian dhe ia arritën qëllimit, duke sjellë në Tiranë medaljen e artë. Beogradi duket se është me fat për shkodranin, pasi këtu, brenda një jave, arriti dy vende të para dhe fitoi dye medalje të arta. Flamuri kuqezi u ngrit sërish në kryeqytetin serb, duke konfirmuar se atleti shkodran po thyen tabu dhe do të pretendojë më shumë në të ardhmen.