Atleti shkodran Izmir Smajlaj ka arritur të kualifikohet për në finalet e Kampionatit Europian të sallave të mbyllura që po zhvillohet në Beograd të Serbisë. Në garat kualifikuese të kërcimit së gjati, zhvilluar paraditen e së premtes, ai ka arritur të kërcejë 7 metra e 98 centimetra që në provën e parë dhe kaq ka mjaftuar që të kualifikohet për në finale. Përsëritja e rezultatit me të cilin u shpall kampion Ballkani katër ditë më parë, konfirmon më së miri formën e shkëlqyer sportive që po kalon Smajlaj.

Garat finale do të zhvillohen ditën e shtunë dhe natyrisht që atleti i Vllaznisë do të synojë të futet në zonën e medaljeve dhe pse jo, të synojë shpalljen Kampion i Europës. Mundësitë natyrisht që janë sepse trajneri Vildan Tufi ka besim se sportisti i tij mund të arrijë të kalojë 8 metrat. Me një rezultat të tillë natyrisht që ai do t’i sfidonte të gjithë por të dy ata nuk kanë dëshirë të nguten. Por gjithsesi Shkodra dhe Shqipëria aktualisht kanë një sportist me parametra të lartë ndërkombëtarë dhe padyshim që duhet trajtuar ndryshe. Suksesi në kampionatin Ballkanik të pak ditëve më parë kuptohet që nuk ishte i papritur por frut i një pune shumëvjeçare të bërë dhe padyshim edhe talentit të Izmir Smajlajt. Padyshim që nesër të gjithë ne presim medalje në Europian prej tij dhe kjo do ta plotësonte edhe më shumë biografinë sportive të këtij atleti që ende nuk i ka mbushur 24 vjeç. Megjithatë të presim. Janë edhe pak orë që na ndajnë nga suksesi i rradhës i tij. Trajneri Tufi është i bindur për këtë gjë. Po ashtu dhe vetë Izmiri.

© shkodrasport.com