Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia U-16 vijon të konfirmojë ambiciet e saj në kampionat, teksa ka marrë një tjetër fitore të rëndësishme, këtë herë në derbin ndaj Tiranës. Kuqeblutë triumfuan me rezultatin e pastër 3-0, duke regjistruar një tjetër paraqitje pozitive dhe duke marrë tri pikë që i mbajnë në krye të renditjes.
Pas shtatë ndeshjesh të zhvilluara, skuadra e drejtuar nga Valdano Nimani ka grumbulluar 19 pikë dhe kryeson kampionatin. Një ecuri që tregon qartë se Vllaznia U-16 nuk e ka fshehur ambicien për të qenë protagoniste deri në fund të sezonit, ndërsa rezultatet e deritanishme japin një sinjal të qartë për potencialin e këtij grupi.
Protagonisti kryesor i derbit me Tiranën ishte sërish Maldis Boshnjaku. Sulmuesi kuqeblu shënoi dy nga tre golat e Vllaznisë, të dy nga pika e bardhë, duke treguar edhe një herë nuhatjen e tij për golin. Madje, një prej penalltive e fitoi vetë, duke u bërë protagonist në të dyja fazat e aksionit që i dha mundësinë të realizonte. Teksa një gol shënoi edhe Troja.
Boshnjaku po shfaqet kështu si një prej emrave më interesantë të këtij ekipi dhe një futbollist që premton për të ardhmen. Në shtatë javët e para të kampionatit, sulmuesi ka shënuar plot 7 gola, duke realizuar mesatarisht një gol për ndeshje dhe duke u renditur në krye të listës së golashënuesve.
Në këtë mënyrë, Vllaznia U-16 nuk kryeson vetëm kampionatin, por ka edhe golashënuesin më të mirë të tij. Shifrat e Boshnjakut flasin qartë për ndikimin që ka në skuadër, ndërsa vazhdimësia e tij në repartin ofensiv është një nga pikat që po i japin kuqebluve avantazh në garën për kreun.
Me Valdano Nimanin në drejtim dhe një grup lojtarësh që po marrin gjithnjë e më shumë besim, Vllaznia U-16 po ndërton një sezon me ambicie të qarta. Në qendër të kësaj ecurie është edhe Maldis Boshnjaku, i cili me 7 gola në 7 javë po tregon se mund të jetë një prej emrave për t’u ndjekur nga afër në të ardhmen e futbollit shkodran.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


