Vllaznia në volejboll për meshkuj ka qenë vetëm një pikë larg fitimit të Kupës së Shqipërisë. Në ndeshjen finale ndaj ekipit të Partizanit, shkodranët kane bërë një paraqitje të shkëlqyer duke qenë shumë pranë fitimit të këtij trofeu. Finalja është zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit dhe është ndjekur nga një numër i konsiderueshëm tifozësh të skuadrës së kuqe ndërkohë që kanë munguar ato të Vllaznja. Përballja në mes të dy ekipeve ka nisur e fortë dhe me shumë rivalitet. Seti i parë mbyllet me rezultatin e ngushtë 25-23 ku në fund ka një kundërshtim të trajnerit Kroqi për një vendim të arbitrit por gjërat nuk ndryshojne dhe Partizani fiton setin e parë. Në të dytin gjërat ndryshojnë. Shkodranët luajnë më mirë dhe e dominojnë nga fillimi e deri në fund duke e fituar me shifrat 25-22. Edhe në të tretin e njëjta situatë. Vllaznia luan më mirë dhe fiton sërish 25-20 duke kaluar në avantazh me sete 2-1. Krijohet bindja se kupa tashmë është shumë pranë saj. Por kjo bën që volejbollistët kuqeblu të kalojnë ne vetëkënaqësi dhe në setin e katërt luajnë dobët duke e humbur atë në shifrat 25-15. Në këtë mënyrë finalja shkon në set final. Gjatë zhvillimit të tij ka luftë nervash. Partizani udhëheq 8-5 dhe duket se do ta fitojë ndeshjen por Vllaznia reagon duke barazuar në 9-9 dhe rivaliteti shkon deri në fund. Kuqeblutë madje udhëheqin deri në 15-14 dhe duket se fitorja është shumë pranë por nuk ndodh kështu. Partizani falë përvojës së lojtarëve të tij përmbys rezultatin dhe fiton 17-15 këtë set dhe krejt ndeshjen duke marrë kështu edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë për këtë sezon. Ndërkohë Vllaznia që nuk e ka fituar këtë kupë nga viti 1989, duhet të presë vitin e ardhshëm për ta bërë realitet këtë gjë.

© shkodrasport.com