Barazim 0-0 në Gjirokastër në mes Luftëtarit dhe Vllaznisë. Një rezultat që kënaq më shumë shkodranët megjithatë jo aq sa kishte deklaruar presidenti i Laçit Laska. Ndeshja ka qenë mjaft e luftuar. Luftëtari vendës ka qenë dominues në pjesën e parë, por pa pasur pikë referimi në finalizim. Bregu e ka tepruar në vazhdimësi me veprimet individuale, duke ia lehtësuar punën Bicajt për ta markuar. Kuqeblutë, nga ana e tyre, janë më të kujdesshëm në prapavijë në këtë fraksion loje, duke tentuar pasimin e gjatë për te Bakaj dhe kundërsulmin. 45 minutat e para mbyllen pa gola, por me përpjekje të shumta të bluzinjve. Pjesa e dytë nis krejt ndryshe për shkodranët, që i detyrojnë vendësit të mbyllen në gjysmëfushën e tyre. Vllaznia ushtron presion të konsiderueshëm, duke tentuar përmes Bakajt dhe Shtubinës zhbllokimin e rezultatit. Trajneri Milinkoviç bën lëvizje në formacion, duke ia dalë që të rikthejë ekuilibrin në fushë. Kalimi i minutës së 60-të e bën ndeshjen edhe më të hapur. Skuadrat luajnë gjithçka, në kërkim të golit të fitores. Bregu dhe Abazaj sjellin rrezik nga të dyja krahët për prapavijën mike, por u mungon qartësia në finalizim të aksioneve. Bakaj provon aftësitë e Ruçit në minutën e 78-të, teksa godet rreptë, por portieri i Luftëtarit eviton golin. Milinkoviç shton edhe Lamçen në sulm, duke i luajtur të gjitha kartat për fitoren, por difensiva shkodrane ia ka dalë të mbajë portën e vet të paprekur. Kjo edhe për meritë të Selimajt, që ka bërë dy pritje shpëtimtare në dhjetë minutat e fundit. Ai ka bërë të pavlefshme goditjet e mrekullueshme të Abazajt, në minutën e 83-të, dhe të Bregut, në minutën e 87-të. Në fund, skuadrat ndanë nga një pikë, çka i lë të dyja palët në pozitat që kishin në klasifikim.