Tuesday, June 2, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREINTERVISTA/ Rrahman Hallaçi analizon Vllazninë: 'Sezon shumë i mirë, por mungoi personaliteti...

INTERVISTA/ Rrahman Hallaçi analizon Vllazninë: ‘Sezon shumë i mirë, por mungoi personaliteti në Final 4’

Nga Maringlen ZHIVANI

Ish-futbollisti dhe trajneri i njohur Rrahman Hallaçi ka analizuar sezonin e fundit të Vllaznisë, duke e cilësuar atë si pozitiv në tërësi, por me mangësi në momentet vendimtare. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, ai tha se skuadra kuqeblu zhvilloi një kampionat të mirë dhe prodhoi lojë cilësore nga fillimi deri në fund, por nuk arriti të përkthejë këtë dominim në sukses në fazën finale.

“Vllaznia bëri një sezon shumë të mirë. Skuadra prodhoi lojë gjatë gjithë kampionatit, por mendoja se do të kishte më shumë rendiment në Final 4,” u shpreh Hallaçi.

Në intervistën me gazetarin Maringlen Zhivani, ai theksoi se një nga arsyet kryesore të dështimit ishte mungesa e përgjegjësisë nga disa lojtarë në ndeshjet vendimtare.

“Në Final 4 mungoi marrja përsipër e disa lojtarëve kryesorë. Nuk mund të zgjidhë gjithmonë ndeshjet vetëm Balaj, duhet që edhe pjesa tjetër të marrë përgjegjësi në momentet e rëndësishme,” deklaroi ai.

Hallaçi vlerëson se aktualisht Vllaznia është një skuadër e kompletuar në masën 80% dhe me 3-4 ndërhyrje cilësore në merkato mund të rikthehet sërish pretendente për titull.

“Skuadrës i duhen lojtarë me personalitet dhe eksperiencë, të aftë për të bërë diferencën në ndeshje speciale. I duhen 3-4 lojtarë si Balaj,” shtoi ai.

Në analizën e tij, ish-mbrojtës i Vllaznisë nuk kurseu vlerësimet për stafin teknik, duke i dhënë notë maksimale trajnerit Edi Martini.

“Stafi ka bërë një punë të shkëlqyer. Martini meriton notën 10. Ai e çoi skuadrën në vendin e parë gjatë sezonit. Ndeshjet finale janë për lojtarët me eksperiencë dhe mentalitet fituesi,” theksoi Hallaçi.

Një vlerësim të veçantë ai pati edhe për figurën e Vioresin Sinanit, të cilin e krahasoi me legjendën e Milanit, Paolo Maldini.

“Sinani është një ikonë. Mjafton prezenca e tij që lojtarët të marrin energji pozitive. Është si Maldini te Milan,” u shpreh ai.

Sa i përket merkatos, Hallaçi beson se drejtimi i duhur është në duart e trajnerit Martini, duke marrë si referencë punën e tij të mëparshme në kampionatin shqiptar.
Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e fanellës së Vllaznisë, duke theksuar se jo të gjithë lojtarët arrijnë ta përballojnë peshën e saj.

“Fanella e Vllaznisë kërkon respekt. Ka lojtarë që e ndjejnë presionin, ndaj duhen më shumë liderë në skuadër,” tha ai.

Në fund, Hallaçi përgëzoi drejtuesit e klubit për vendimin për të vijuar me të njëjtin staf teknik, duke e cilësuar këtë si shenjë të një mentaliteti fitues.

“Duhet durim për të arritur suksesin. Presidenti Xhaferi bëri zgjedhjen e duhur duke besuar te Martini. Kjo është rruga e duhur dhe jam i bindur që shumë shpejt Vllaznia do të rikthejë titullin në Shkodër,” përfundoi Hallaçi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments