Ndriçim Shtubina është ngujuar këto ditë në shtëpinë e tij në Shkodër, duke respektuar masat pas përhapjes së koronavirusit.

Mesfushori me tipare sulmuese i Vllaznisë mundohet të bëj sadopak stërvitje në kushte shtëpie, madje duke u ndihmuar edhe nga dy djemtë e tij, siç shihet edhe në videon e mëposhtme.

Në një prononcim për “Panorama Sport” lidhur me situatën, shkodrani bëri një mesazh për bashkqytetarët e tij, duke qenë se në këtë moment nuk mund të flitet për futboll.

“Për mua është shumë serioze kjo situatë, sepse po shikoj shumë shtete në siklet për shkak të përhapjes së koronavirusit. Kam një thirrje për qytetarët shkodranë. Besoni mjekët, sepse edhe unë besoj tek ata. Mos i merrni gjërat politikisht.

Edhe një herë, mesazhi im është që të besoni te mjekët”, ka thënë 33-vjeçari për “panoramasport.al”. Kujtojmë që pas alarmit për virusin Covid-19, lojtarët e Vllaznisë u kontrolluan nga stafi mjekësor përpara se të shpërndaheshin.

Madje vetë pjestari i këtij stafi, Ilirjan Haxhaja, theksoi se Shtubina ishte nga lojtarët e parë që u ndërgjegjësua, duke kërkuar t’i nënshtrohet kontrollit.