Nëse deri javën e kaluar skuadra shkodrane ka luajtur me një skemë tjetër, nga kjo javë pritet që të luajë ndryshe. Ardhja në formë e Malotës dhe për më tepër, niveli më i mirë në krahasim me kundërshtarët, e ka bërë trajnerin Lika të mendojë për aplikimin e një skeme tjetër për ndeshjen e rradhës ndaj Erzenit.
Që do të thotë se të shtunën nuk do të luhet me katër mbrojtës në prapavijë por me tre. Malota do të luajë në qendër dhe dyshja Zeqaj- Ignat do të jetë e pozicionuar në dy krahët para tij.
Tre shtatëlartët kësisoj do kenë për detyrë të bllokojnë të gjithë sulmet e kundërshtarëve por jashtë këtyre detyrave nuk do të mbesin as mesfushorët.
Në këtë repart Vllaznia do të luajë këtë herë me katër lojtarë. Kështu, në qendër do të jetë dyshja Krymi- Tafili ndërsa në krahë do të jenë Gocaj e Gurishta.
Këta të fundit janë avancuar më përpara nga ana e trajnerit por në momentet kur kundërshtati ka topin, kuptohet që do kenë për detyrë të mbyllin prapa.
Sakaq, braziliani Zhunior do të jetë në majë të sulmit dhe do të ketë edhe ndihmën e Zogajt nga e djathta dhe të Hajdarit nga e majta me objektivin e qartë për të shënuar në portën shijakase dhe për të marrë një tjetër fitore në kampionat. Tashmë mbetet për t’u parë se si do të funksionojë kjo skemë dhe nëse do të japë rezultat apo jo.
www.shkodrasport.com