Historia e Kampionateve Europianë ka parë në vite shumë emra që kanë spikatur në një edicion të veçantë, duke u bërë protagonistë për përfaqësueset përkatëse, por pastaj nuk kanë patur një karrierë e cila të shoqëronte famën që morën gjatë aktivitetit.

Të ashtuquajturit “meteorë” të futbollit kontinental kanë qenë të shumtë dhe portali italian i “Sky Sport” është munduar që të bëjë një listë me emra që kanë shkëlqyer në edicione të veçanta.

Janë emra si Dobrovolski, Zhordi Krujf, Mpenza, Ganea, Verpakovskis, Haristeas apo edhe Eder i cili vendosi finalen e edicionit të kaluar. Mes tyre është edhe ai i Armando Sadikut, i cili la shenjë pesë vite më parë në Francë.

“Në 2016 shënon golin e parë në historinë e Shqipërisë në Europian. Por kombëtarja e tij eliminohet gjithsesi në fazën në grupe. Përfundoi duke luajtur në Bolivi”, shkruan portali i “Sky Sport” për Sadikun i cili në fakt përjetoi luhatje shumë të mëdha në vitet që pas asaj eksperience të paharrueshme në Francë ku u bë një emër i njohur nga e gjithë Europa. /vipsport/