Klubi ka nisur merkaton, duke dhënë shenja jete për sezonin 2019-2020. Afrimi i dy lojtarëve të rinj në moshë dhe me shumë cilësi, si Herald Marku e Julian Shehu, kanë qetësuar jo pak tifozët.
Drejtori sportiv Engin Firat dhe administratori Suad Lici kanë bërë një listë me emrat që do të tentojnë t’i afrojnë për Kategorinë Superiore.
Dhe deri këtu nuk ka asgjë jonormale. Ajo që të shton dyshimet, lidhet me rolin e Agim Canajt në merkaton që po bëhet.
A janë konsultuar drejtuesit me trajnerin në përpilimin e kësaj liste? Një pyetje, që ndoshta vetëm vlonjati mund t’i japë përgjigje… Nga ajo që “Panorama Sport” mëson, kontaktet për një rinovim të mundshëm mungojnë.
Madje, edhe vetë tekniku kohë më parë ka konfirmuar se ka shkëmbyer disa “sms” me drejtuesit, por vetëm kaq. Pra, nuk është folur me detaje për vazhdimësinë. E gjithë kjo situatë të bën të mendosh se në klub nuk e kanë ndarë ende mendjen nëse do t’i besojnë apo jo pankinën Canajt.
Pavarësisht se në fund të sezonit që shkoi u përfol që Vllaznia e re do të niste nga trajneri dhe stafi i tij, e kundërta ngjau. Klubi filloi me afrimet dhe Agim Canaj mbetet i pakonfirmuar.
Ndoshta drejtuesit e klubit janë në dilemë dhe po shikojnë për emra të tjerë. Dhe, nuk përjashtohet mundësia që “grepat” t’i hedhin edhe jashtë Shqipërisë për stolin.