Futbollistë të kombësive të ndryshme kanë ardhur në futbollin shqiptar vitet e fundit. Nga Afrika apo edhe kontineti aziatik, Superliga shqiptare ka qenë një destinacion i preferuar për shumë kënd.

Të rrallë kanë qenë futbollistët me origjinë nga Anglia në vendin tonë. Dy më saktë kanë qenë pjesë e kampionatit shqiptar, Michael Ngo’o i Tiranës dhe Jamie Phoenix.

Emri i dytë për tifozët e Vllaznisë mund të jetë i njohur. Ai është futbollisti i parë anglez në historinë e kampionatit shqiptar. Erdhi si një i panjohur në janarin e vitit 2010.

Duke u bërë pjesë e shkodranëve deri në fund të atij sezoni. I dalur nga akademia e Everton dhe i njohur për jetën e tij të natës dhe shoqërinë me futbollistin e njohur anglez, Wayne Rooney.

Phoenix solli shumë kureshtje kur u transferua në Shqipëri. Në rolin e një mesfushori, ku si cilësinë e tij më të mirë kishte shpejtësinë, ai me Vllazninë arriti në finalen e kupës së Shqipërisë atë sezon, ku shkodranët humbën 2-1 kundër Besës. Pas largimit nga Vllaznia, Phoenix qëndroi sërish në Shqipëri.

Ku skuadra si Bylis apo Luftëtari do ishin stacionet e tij të rradhës, por pa sukses. Sot ai është tërhequr nga futbolli dhe jeton në Liverpool. Ku pasionin e tij për këtë sport nuk e ka lënë pas, kjo pasi stërvit një ekip lokal të moshave.

Endri ÇINARI