Engin Firat është një 49-vjeçar turk, që erdhi në gusht të vitit të kaluar te Vllaznia me ide të qarta për të ringritur klubin shkodran. Afro një vit më pas, kur kuqeblutë u rikthyen në Superiore, drejtori sportiv po bëhet gati t’i thotë lamtumirë Vllaznisë.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Firat tregon aventurën në Shkodër, problemet dhe mbi të gjitha ato që, sipas tij, janë të vërtetat, të cilat tifozët e Vllaznisë duhet t’i dinë.

“Shikoj persona që i rrinë përreth klubit vetëm për të shkatërruar dhe për të përfituar. Nuk aplikonin për lëvrimin e lekëve të bashkisë dhe këtë e bënin për shkak të administratorit Suad Lici”, tregon ndër të tjera turku, i cili tashmë ka vendosur të lërë detyrën e drejtorit sportiv dhe të rikthehet si trajner, por pa dhënë detaje për klubin e ri.

Zoti Firat, çfarë po ndodh te Vllaznia?

Fillimisht dua ta nis me një rezyme të sezonit të fundit, sepse çdokush ka të drejtë ta dijë se çfarë ka ndodhur realisht te Vllaznia dhe cilat ishin kushte dhe rrethanat.

Unë dhe Suadi (i referohet administratorit Lici) e kemi nisur shumë vonë punën, në gusht 2018, dy javë para se të fillonte sezoni. Në atë kohë nuk kishim skuadër dhe duke mos pasur kohë në dispozicion, bëmë disa transferime, si për shembull braziliani Zhunior, për të cilin jemi kritikuar nga legjendat dhe specialistët e futbollit në Shkodër.

Për ata ishte zero. E njëjta gjë ishte edhe për Ignat, i cili rezultoi si një nga lojtarët më të mirë të Kategorisë së Parë. Pastaj afruam Krujën me shokë, që gjithashtu bënë një punë shumë të mirë. Afruam edhe lojtarë si Hajdari dhe Gurishta, që nuk kishin besuar më parë, të cilët gjithashtu bënë një paraqitje të mirë.

Gjatë kësaj kohe, ne bëmë kontrata afatgjata me lojtarët e rinj si Krymi, Sherri etj., që kanë luajtur edhe më parë në Superiore. Me këtë hap, ne po mendonim edhe për sezonin tjetër.

Përtej kësaj, skuadra u rikthye në Superiore…?

Ok, por duhet ta dini se nuk kemi zhvilluar fazë përgatitore as në dimër, kjo për shkak të situatës financiare. Pjesën më të madhe të ndeshjeve ne nuk e kemi zhvilluar në stadiumin tonë dhe përgatitjet i kemi bërë në një fushë me bar sintetik dhe të amortizuar, që ka qenë një problem shumë i madh për lojtarët profesionistë.

Për shkak të kësaj fushe kemi pasur shumë dëmtime dhe Malota luajti vetëm 30% të ndeshjeve për shkak të lëndimeve që merrte nga ky terren. Dëmtimet e lojtarëve që kemi pasur nga kjo fushë na kanë shkaktuar shumë problem gjatë sezonit të fundit.

Në Shkodër flitet shumë për buxhetin e Vllaznisë, a mund të na jepni një shifër se sa ka shpenzuar klubi për t’u ngjitur në elitë?

Buxheti? Gjithçka ka qenë gënjeshtër ajo që është thënë në media, pasi me të gjithë lojtarët kemi nënshkruar kontrata me vlerë 50% më të ulët se një sezon më parë. Kemi akoma probleme për pagesat, për shumë arsye, dhe për procedurat që duhet të ndjekë bashkia.

Ju si drejtor keni pyetur përse vjen kjo vonesë?

Kjo vjen edhe nga borxhet e shumta të trashëguara nga vitet e shkuara, të cilat nuk kanë lidhje me ne, që ishim në drejtim të klubit. Për shumë kohë, llogaritë bankare të klubit janë të bllokuara.

Kjo ka shkaktuar një problem të madh në shlyerjen e rrogave të lojtarëve. Pa dyshim, ky problem ka ndikuar edhe në ecurinë e ekipit. Njerëzit duhet ta dinë se edhe pse përgjysmuam buxhetin, sërish na duhet të paguanim dy rroga të plota nga sezoni i fundit. Të paguanim borxhe nga sezonet e shkuara. Kemi qenë të detyruar të paguajmë keqmenaxhimin e viteve të shkuara, të diktuar edhe nga ultimatumet e FIFA-s.

Më konkretisht, çfarë borxhi ka qenë që keni pasur një ultimatum?

Nuk kanë qenë pak, por 40 mijë euro. Gjithçka është kryer me këtë buxhet të ulët që kemi pasur gjatë sezonit të fundit, ndërsa njerëzit flisnin për një buxhet të madh. Gjithçka ka qenë një gënjeshtër, nuk ka asgjë të vërtetë për superbuxhetin e përmendur. Nuk ka qenë aspak e lehtë për të administruar shumën që kemi pasur në dispozicion për klubin në sezonin e fundit, pasi kemi qenë të detyruar të paguajmë edhe borxhe të vjetra. Është folur shumë edhe për privatizimin e klubit. Për gjithë këtë vit nuk kemi pasur asnjë mbështetje nga jashtë, qoftë edhe një lek.

Ju e shikoni si diçka të pamundur privatizimin e Vllaznisë?

Të gjithë flasin, por përveç Bashkisë Shkodër, as edhe një lek nuk ka ardhur në ndihmë të klubit. Kështu që nuk mund ta kuptoj sesi mund të privatizohet, kur askush nuk thotë të paktën një fjalë pozitive, le më që mbështetja për Vllazninë ka qenë zero nga të tretët. Nuk e kuptoj sesi duan të privatizojnë klubin kur nuk japin qoftë edhe një lek. Pra, mungon arsyeja në këtë pikë.

Me gjithë këto probleme, pse pranuat të merrnit përsipër postin e drejtorit sportiv?

Njerëzit duhet ta dinë se Suad Lici dhe Rudi Vata janë miqtë e mi të vjetër në Shkodër. Suadi provoi duke më treguar disa projekte dhe gjëra për t’i zhvilluar, por njerëzit kanë thënë shumë broçkulla rreth këtij bashkëpunimi. Por dua të them diçka, kudo që kam shkuar me Suadin, kemi paguar nga xhepi ynë, asgjë nuk është paguar nga klubi.

Jeni shumë i mllefosur me mediat, por nuk mendoj se është faji i tyre në situatën ku ndodhet Vllaznia…

Për mua është shumë e thjeshtë për të kontrolluar gjërat në klub, pasi çdo gjë vjen nga bashkia dhe çdo lek i shpenzuar ndiqet dhe kontrollohet. Nuk e di pse gjithnjë flitet për gjëra të paqena, aq më shumë që media lokale ka pasqyruar shumë gënjeshtra. Duke qenë pjesë e një klubi 100-vjeçar, prisja më shumë nga vetja. Nuk kemi pasur fushë stërvitore, zyra. Disa klube nga Arabia Saudite dëshironin të vinin në Shkodër për turne, por mund të më shpjegoni ku mund të stërviteshin ata? Ku?

Canaj-Lici-Firat

Madje, edhe stadiumi nuk na përkiste neve. Janë shumë probleme për t’u zgjidhur, probleme që e kanë ndjekur klubin prej shumë vitesh. Nuk e kuptoj pse njerëzit prisnin që gjërat të zgjidheshin për një minutë.

Kur Turqia luajti me Shqipërinë në Shkodër, unë dhe Suadi shoqëruam mediat turke, që bënin intervista të drejtpërdrejta, të tregonim jetën reale, bukuritë dhe tregonin emergjencën që kishte nevojë Shkodra. Këtë nuk e bëra për veten dhe Suadin, por për të mirën e qytetit, marketigun e Shkodrës. Por në të njëjtën kohë, shkruhej se persona të ndryshëm kanë kërcënuar Suadin dhe mua. Jo mafia, jo gjëra të tjera.

Si është e vërteta?

Të njëjtët njerëz që shoqëruam më thoshin se çfarë thua ti dhe se çfarë thotë media lokale? Pra, ndodhnin gjëra të çuditshme, sa më dukej vetja si don kishot. Persona që kurrë nuk kanë ardhur të shikojnë ndeshje të Vllaznisë, thoshin që nuk jam në Shkodër dhe nuk jam pranë ekipit. Si mund të më shikonin mua kur nuk vinin të shikonin Vllazninë. Ata gjithë ditën rrinë në kafe dhe dalin e flasin në televizionet lokale. Kjo nuk është rruga ime, unë punoj fort.

U referoheni komenteve ish-trajnerëve të Vllaznisë…?

Është e thjeshtë të flasësh, por nuk kam parë asnjë që të bëjë diçka për klubin. Të gjithë shikojnë si të përfitojnë aty. Më vjen keq për tifozët e vërtetë të Vllaznisë, që kanë qenë të detyruar të ballafaqohen me këtë situatë për shumë vite. Është e thjeshtë të fajësosh dikë, por organizimi është shumë i dobët dhe për këtë kryem vetëm tri afrime në merkato.

Për disa lojtarë që kishim në plan për të pasur letrat e emigracionit, duheshin 7 muaj. Për mua nuk është normale. Janë persona që merren me probleme të veçanta në klub, por vijnë kur duan, shkojnë kur duan dhe nuk e di se çfarë punë mund të kenë bërë. Nuk aplikonin për lëvrimin e lekëve të bashkisë dhe këtë mosaplikim e bënë për shkak të administratorit Suad Lici.

engin-firat

Pse, për shkak të Licit?

Nuk e di këtë, por di që shumë persona punonin kundër Vllaznisë. E mira është që personat ta tregojnë e ta dinë të vërtetën për Vllazninë, që klubi të ecë përpara. Po shikoj persona që i rrinë përreth klubit vetëm për të shkatërruar dhe për të përfituar.

Megjithatë, edhe në këtë situatë, ne që në janar kemi nisur të vëzhgojmë ndeshjet e Kategorisë Superiore, ku kemi bërë një listë me lojtarë dhe kjo mund të ketë qenë edhe arsye që nuk më keni parë ndonjë ditë në Shkodër. Kam udhëtuar në gjithë Shqipërinë ku kam ndjekur nga afër lojtarë, pasi nuk më pëlqen t’i ndjek nga televizori.

Gjithashtu, kam udhëtuar në shumë shtete për të pikasur lojtarë të përballueshëm për rrogën që jepet në Shqipëri. Këto emra ia kam raportuar që në mars Suadit dhe kemi nisur disa bisedime, por asgjë nuk mund të realizohet në disa minuta.

Ju po flisni për plane dhe lojtarë që mund të afrohen, cila është situata aktuale në ekip?

Situata aktuale te Vllaznia është e tillë. Pjesës më të madhe të lojtarëve u ka mbaruar kontrata. Këtë gjë ua kam treguar edhe lojtarëve, se edhe kontrata ime me Vllazninë ka mbaruar. Kështu që të gjithë janë të hapur për oferta nga jashtë. Nëse nuk keni oferta, kjo tregon se nuk jeni të mirë. Mesazhi ka qenë për çdokënd. As unë nuk e di të ardhmen time dhe nuk e di se me cilët lojtarë Suadi do të rinovojë kontratat. Gjithsesi, nuk mendoj se do të jenë të shumtë lojtarët.

 

vllaznia

Po thoni që nuk e dini të ardhmen tuaj. Do largoheni?

Sa i përket së ardhmes sime, jam në bisedime me disa klube dhe me shumë mundësi do t’i rikthehem karrierës si trajner.