Vllaznia kërkon një goditje “BIG” në merkato dhe Agim Ibraimi është fantazisti që trajneri Tomas Brdariç do të preferonte ta kishte në ekip për t’i shtuar cilësinë në fazën sulmuese.
Kapiteni i Kukësit, edhe pse nuk është një qendërsulmues i mirëfilltë, e mbylli kampionatin me 15 gola të shënuar, një më pak se Dejvi Bregu që fitoi “Këpucën e Artë”.
Menjëherë pas përfundimit të sezonit, në drejtim të tij kanë mbërritur oferta konkrete nga klubet e Superiores, por jo vetëm. Përveç Kukësit, që është i interesuar të rinovojë me Ibraimin, “Panorama Sport” ka raportuar më herët se në lojë për të kanë qenë edhe ekipe si Tirana, Partizani, Dinamo dhe Teuta.
Gjithashtu në Kosovë është Ballkani, që pas emërimit të Nderim Nexhipit si drejtor, i ka bërë një ofertë Ibraimit. Gazeta zbulon ekskluzivisht se së fundmi për 32-vjeçarin ka dalë në skenë edhe Vllaznia. Drejtuesit e klubit shkodran mësohet se kanë kontaktuar disa herë lojtarin në ditët e fundit, duke ia bërë të qartë interesin.
Mirëpo, burime pranë futbollistët tregojnë se ai është ende i lëkundur për të vendosur, për më tepër që duhet të presë edhe të paktën një javë, pasi atëherë i përfundon zyrtarisht kontrata me Kukësin. Opsione për Ibraimin janë edhe klube në Ligën e Dytë turke dhe Arabinë Saudite, por duket se dëshira e ish-yllit të Kaljarit dhe Mariborit është të mbetet në Superiore.
Duket se për fantazistin do të ketë një “ankand” dhe në fund lojtari pasi të vendosë në peshore të gjitha ofertat, do të bëjë zgjedhjen e tij. Te Vllaznia shpresojnë se mund ta bindin Ibraimin, paçka se bëhet fjalë për një prej lojtarëve më të paguar në Superiore.