Vllaznia në basketboll për meshkuj është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e parë të kampionatit në fazën e dytë të tij. Kuqeblutë do t’ia nisin nga përballja me rivalin e tyre kryesor në luftën për titullin kampion, pikërisht me Tiranën dhe për këtë arsye, stafi teknik i përbërë nga trajnerët Gjeçaj e Hallunaj është duke u mundur ta bëjë gati ekipin për këtë përballje ku sigurisht që do të kërkohet fitorja.
Me ardhjen së fundi edhe të Algert Gjonajt, skuadra shkodrane duket e kompletuar në të gjitha pikat e saj dhe e denjë për të synuar titullin kampion. Investimi që ka bërë në fillim të fazës së dytë presidenti Dibra, pritet të japë tashmë frutet e veta. Ai ka hyrë fuqishëm në merkato duke sjellë një ekip të plotë teksa fillimisht ka marrë Hamatin nga Kamza Basket e më pas erdhën njëri pas tjetrit tre amerikanët, Palmer, Xhekson dhe Frilove dhe së fundi edhe Gjonaj. Këto basketbollistë, bashkë edhe me kontigjentin aktual të lojtarëve shkodranë të udhëhequr nga kapiteni Berdica, kanë një objektiv të qartë: fitimin e titullit të katërt kampion. Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë por Vllaznia nuk do të heqë dorë kollaj nga ky prendim i saj. Problemi i vetëm për të është mungesa e kohës së mjaftueshme në dispozicion, kohë që do t’i duhet trajnerëve për të ingranuar siç duhet lojën e lojtarëve të ardhur me pjesën tjetër të skuadrës. Miqësorja e zhvilluar javën e kaluar ndaj kosovarëve të Suharekës, është e vetmja deri tani dhe në dy ditët e ardhshme pritet edhe një tjetër në mënyrë që ekipi të testojë veten në prag të sfidës së javës tjetër me bardheblutë e Tiranës. Gara për titullin sivjet pritet të jetë më e forta e këtyre viteve të fundit sepse në lojë për ta fituar atë është edhe Teuta e Durrësit. Kuptohet se do të triumfojë ekipi që do të tregojë formën më të mirë dhe që do të gabojë më pak. Në Shkodër sigurisht që presin suksesin e Vllaznisë megjithatë kjo duhet treguar në fushën e lojës.