Mesfushori i Vllaznisë, Ardit Krymi, mendon se skuadra shkodrane duhet të bëjë gjithçka në Tiranë për ta mbyllur më së miri vitin, e pastaj të jetë më e qetë për t’u rikthyer në 2021-shin më e fortë.
Në një bisedë për “Panorama Sport”, titullari i kuqebluve foli për momentin e mirë që po kalon Vllaznia, si dhe takimin e nesërm ndaj bardhebluve. “Mendoj se jemi në rrugën e duhur.
Kemi bërë ndeshje shumë të mira dhe për më tepër kemi marrë maksimumin. Në skuadër ekziston një frymë pozitive dhe kjo është e dukshme. Jemi herët për të folur për objektiva, por jemi kampionë dimri. Nëse kërkojmë të jemi edhe më mirë, duhet të kalojmë me sukses edhe Tiranën”, ka thënë Krymi.
I pyetur nëse barazimi mund të quhet një rezultat i mirë për Vllazninë në “klasiken” me bardheblutë, mesfushori deklaroi se në çdo ndeshje të këtij sezoni, Vllaznia është futur për fitore. “Ndaj një skuadre si Tirana një rezultat i tillë nuk është negativ, por ne që në takimin e parë e deri tani, shkojmë për të fituar. Të njëjtën gjë do të bëjmë”.
LËVIZJET – Viktor da Silva pritet që të kthehet në formacion për takimin ndaj Tiranës. Ai u aktivizua si zëvendësues në sfidën e humbur në Laç e më pas mungoi me Apoloninë dhe Skënderbeun për shkak dëmtimi.
Megjithatë, nga sa mësohet, braziliani ka kaluar tashmë problemin në këmbë dhe Brdariç mund t’i japë një fanellë titullari të mërkurën. Kjo do të konfirmohet më shumë ditën e sotme, kur edhe skuadra do të zhvillojë stërvitjen e fundit.
Nëse Da Silva do të aktivizohet si titullar, me shumë gjasa ai do të zëvendësojë Imerin, i cili ka luajtur në të gjitha ndeshjet titullar dhe stafi mund ta ulë në stol për ta përdorur në pjesën e dytë. Fakti që braziliani ka munguar, ka krijuar aludime se mes tij dhe trajnerit ka pasur krisje, por kjo është mohuar nga palët.