Skuadra shkodrane ende nuk e ka gjetur njeriun- gol për sezonin e ri. Paksa e çuditshme kjo kur ke parasysh se vetëm në dekadën e fundit kjo skuadër ka nxjerrë nga rradhët e saj sulmues si Vioresin Sinani, Hamdi Salihi, Xhevahir Sukaj, Bekim Balaj e Armando Vajushi. Sot është tjetër histori. Aktualisht Vllaznia nuk ka asnjë lider të vërtetë në këtë repart dhe ky është shqetësimi më serioz aktualisht i trajnerit Canaj por edhe i drejtorit sportiv Grima që është marrë shumë me merkaton e kësaj vere. Në mungesën e një lojtari të tillë aktualisht tek kuqeblutë, drejtuesit kanë hedhur sytë gjetkë dhe për rrjedhojë, prej 3 ditësh ndodhet në Shkodër dhe po testohet nga ana e stafit drejtues.

Damir Vidoviç
Kroati ka mbërritur në qytetin verior të Shqipërisë pasditen e së shtunës dhe nuk ka qenë në gjendje të luajë asnjë minutë në miqësoren me Teutën. Në kushte të tilla, prova e vërtetë për sulmuesin Damir Vidoviç që në karrierën e tij ka luajtur me Luka Koper dhe më pas edhe në kampionatin portugez. Në fakt në seancat e së hënës dhe të së martes, ky sulmues është provuar nga ana e trajnerit Canaj në lojëra të ndryshme që ka zhvilluar brenda- përbrenda ekipit. Përshtypjet e para për këtë futbollist ndoshta nuk janë ato që priteshin. Vidoviç duket një futbollist shumë i fortë dhe që i fiton dyluftimet me kundërshtarin por nuk duket shumë i qartë para portës. Në fakt, Vllaznia sot ka nevojë për një futbollist që e njeh mirë golin dhe kroati për momentin nuk e plotëson këtë kriter. Megjithatë testi i sotëm me Besën mbase mund të jetë vendimtari për të dhe mendimi i stafit në adresë të tij mund të ndryshojë.
Arbër Dhrami
Sulmuesi vlonjat ka luajtur vetëm 45 minuta në një miqësore me Vllazninë. Atë që ajo ka luajtur në kryeqytet me Tiranën. Ndaj Teutës të shtunën e kaluar nuk ka luajtur ngaqë i është shfaqur një problem shëndetësor teksa ka rezultuar me gurë në veshka. Si pasojë, këto ditë ai ka zhvilluar analizat përkatëse, i shoqëruar nga mjekët e Vllaznisë dhe tashmë duhet parë se si do të veprohet për kurimin e plotë të tij. Ai është rikthyer sërish dje në Shkodër por me shumë mundësi nuk do të luajë as sot në miqësoren me Besën. Përshtypjet për këtë sulmues kanë qenë positive dhe mbase për të mund të kishte ardhur edhe kontrata e re megjithatë duhet parë sesi do të shkojë gjendja e tij shëndetësore.
Të tjerët
Në skuadër aktualisht janë edhe disa sulmues të tjerë. Jurgen Gjini për momentin konsiderohet lojtari I formacionit nisur edhe nga fakti që tashmë e ka edhe një përvojë në Superligë. Pavarësisht se ka shënuar edhe ndonjë gol në ndeshjet miqësore, ai sërish nuk ka bindur plotësisht stafin se mund t’I besojë atij sulmin. Lojtari tjetër, Sindrit Guri, duket se nuk ka arritur ta kënaqë plotësisht trajnerin Canaj ndërkohë që njëfarë befasie ka qenë prezantimi I Arenc Dibrës. Sulmuesi që ka pat ditë në stërvitje me kuqeblutë, ndonëse nuk është në kondicionin e tij më të mirë, ka dhënë shenja se mund të jetë I vlefshëm për ekipin prandaj dhe në ditët e ardhshme mund të firmoset kontrata me shkodranin që ka luajtur më parë me Besëlidhjen. Sulmuesi tjetër në dispozicion është 19 vjeçari Hysmir Idrizi. Ai nuk ka përvojën e duhur në Superligë por ka elementët e duhur që mund të bëjnë të besohet tek Dibra. Megjithatë, pavarësisht këtyre gjërave, Vllaznia është hedhur e gjitha në sulm për një lojtar- goli që për momentin I mungon asaj. Se kush do të jetë ky futbollist, askush nuk e ka të qartë se kush do të jetë ai.
Gjergj KOLA