Më 9 janar pritet të zgjidhet fati i Vllaznisë. Bashkia Shkodër e ka bërë të qartë se dëshiron ta heqë qafe klubin e futbollit por në fakt nuk ka si e bën këtë. Zgjidhja që ka gjetur duket shumë e koklavitur. Shoqëri aksionere me “përdorues” të cilët nuk i njihen lekët që do hedhin, nuk pritet të japë një zgjidhje ashtu siç duhet. Mbase një zgjidhje më e mirë do ishte mbyllja e shoqërisë aksionere dhe kalimi në shoqatë.

Edhe për këtë të fundit thuhet se ligji nuk parashikon shumë gjëra të sakta megjithatë është shumë më mirë sesa aktualisht.Më 9 janar është mbledhja e Këshillit Bashkiak Shkodër. Ajo që do vendosë përfundimisht se çfarë do bëhet me Vllazninë. Agron Çela duket i vendosur për ta marrë edhe i vetëm atë, por duhet parë se cila do jetë ndihma që do t’i japë Bashkia. Përpos kësaj, duhet që kjo zgjidhje të zgjasë për një periudhë kohore dhe të mos mendohet që në qershor apo pas një viti, të mendohet për një zgjidhje tjetër. Vllaznia ka nevojë për ndërhyrje imediate dhe sa më të shpejtë. Më 9 janar është pak si vonë për të filluar punë për merkaton apo dhe ndryshimet në stafin drejtues. Në fakt, janë edhe vetëm 8 ditë deri atëherë dhe në pamje të parë mund të konsiderohet ditë e afërt por nuk është edhe e tillë. Skuadra ka nevojë për “operacion” të shpejtë dhe çdo ditë që kalon ndikon jo pak në të ardhmen e saj.
www.shkodrasport.com