Kampionati nuk ka nisur në mënyrën e duhur për ekipin e basketbollit të meshkujve të Vllaznisë, shoqëruar me dy humbje në dy ndeshjet e para të tij.
Fillimisht me Goga Basket në Shkodër dhe pastaj me Teutën në Durrës. Dy kundërshtarë të cilët duken shumë të fortë për t’u përballuar nga shkodranët.
Por këtë të premte, kalendari ka dhuruar një tjetër sfidë interesante për ekipin shkodran. Në orën 17.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” përballë tij do të jetë Kamza Basket.
Një ndeshje që pritet me interes sepse kamzalinjtë konsiderohen rivalët direktë të kuqebluve në luftë për vendin e pestë në renditje.
Themi kështu pasi katër ekipet e tjera, Teuta, Tirana, Partizani dhe Goga Basket, kanë përbërje më të mira dhe po ashtu edhe objektiva të qarta për kampionatin.
Vllaznia dhe Kamza Basket në këtë mënyrë do të rivalizojnë me njëra- tjetrën deri në fund se cila skuadër do qëndrojë në kategori dhe cila do bjerë një kategori më poshtë.
Për këto arsye, trajneri Fatjon Taraboshi gjatë gjithë këtyre ditëve ua ka bërë të qartë basketbollistëve të tij rëndësinë e kësaj ndeshje. Kuptohet më shumë është marrë me lojtarët me përvojë sepse ata të rinjtë nuk e kanë peshën e duhur për të ndihmuar ekipin.
Fitorja ndaj Kamzës pasditen e së premtes konsiderohet një domosdoshmëri dhe këtë duket se e kanë të qartë edhe kapiteni Bekteshi, Ndoja, Lekndreaj, Shabani e Llazani.
Megjithatë nuk do të jetë aspak e lehtë ndaj një ekip me të cilin Vllaznia gjithmonë ka patur probleme. Basketbollistet shkodrane kerkojne ndihmen e tifozeve per kete ndeshje sepse vetem keshtu mund t’ia dalin per te fituar.
© shkodrasport.com